Me 26 maj, filmi dokumentar “Motrat Qiriazi” u shfaq si pjesë e Festivalit FemArt, festivali më i madh feminist në regjion. Filmi dokumentar ka treguar punën e “Motrave Qiriazi”, të themeluar nga Igballe Rogova dhe Safete Rogova dhe aktiviteteve të udhëhequra nga Igballe Rogova në kampin e refugjatëve gjatë luftës. Më pas, u mbajt një panel dikutim me Lepa Mladjenovic nga Serbia dhe Igballe Rogova nga Kosova për “Modelet e Feminizmit”. “Ne të gjithë kemi qenë pjesë e kësaj historie, gra dhe burra, por fatkeqësisht ajo që sot dominon është vetëm historia e burrave” theksoi moderatorja Ariana Qosaj–Mustafa. Përpara se të filloj diskutimi Qosaj-Mustafa shpjegoi që Mladjenovic dhe Rogova nuk ishin aty për të folur në emrin e grave dhe vajzave sepse gratë dhe vajzat flasin vet, por ato ishin aty për të krijuar hapsirën në mënyrë që gratë dhe vajzat të mund të flisnin.
Në lidhje me dokumentarin, Rogova shpjegoi se si këndimi dhe vallëzimi është përdorur si formë terapie në kampin e refugjatëve, por ato gjithashtu mbanin kurse për vetë-mbrojtje, takime të veçanta me fëmijët dhe aktivitete të tjera shumë të rëndësishme në atë kohë. Rogova tregoi se si u themelua Motrat Qiriazi dhe aktivitetet e tyre në çrrënjosjen e analfabetizmit në Kosovë në vitet 90-ta, sidomos në rajonin e Hasit. Poashtu, ajo kujtoi se si udhëtoi për në Beograd për t’u takuar me Gratë në të Zeza dhe me Mladjenovic dhe mësoi për aktivizmin e tyre duke e parë atë personalisht. Rogova u mahnit nga protesta e Grave në të Zeza dhe mënyra se si ato përdornin trupin e tyre, në heshtje, si formë të protestës. Nga ana tjetër, Mladjenovic nga panelistet u quajt “akademi e motërzimit, nga e cila të gjitha gratë të diplomojnë”. Mladjenovic përshkruajti ardhjen në Prishtinë në vitet e 90–ta për të ndjekur “festat e grave” nëpër restorante në pronësi të të njohurve të Rogovës. Ajo përshkruan festat si mundësi për të njohur “tjetrin/ën” dhe se si shoqëria e tyre ka evoluar gjatë atyre kohrave të vështira. Diskutimi u mbyll duke pohuar se të dyja bashkë, Mladjenovic dhe Rogova mbeten një insipirim për shumë aktivistë/e feminist/e sot.
FemArt – Festivali i Artisteve për të Drejtat e Njeriut u mbajt përgjatë 25 – 30 maj në Prishtinë. Festivali ekspozoi krijimet artistike të grave të ndryshme nga Kosova, regjioni dhe Evropa. Aktivitetet përfshinë përformanca teatrale, filma të shkurtër dhe dokumentarë, klasa masteri, punëtori, seminare, shfaqje, promovim libri, poezi “slam”, koncerte dhe panele diskutimi me mbi 100 artistë/e, interpretues/e dhe aktivistë/e. Festivali përfundoi të hënën me një ceremoni ku Nexhimje Pagarusha u nderua me çmimin e FemArt.