Në prag të zgjedhjeve të ardhshme, shoqëria civile sjell Manifest për Zbatimin e të Drejtave të Njeriut dhe Barazisë Gjinore në Kosovë 

Me afrimin e zgjedhjeve të ardhshme, të cilat do të mbahen më 9 shkurt të vitit 2025, shoqëria civile ka përgatitur një Manifest për Zbatimin e të Drejtave të Njeriut dhe Barazisë Gjinore në Kosovë. 

Janë 12 organizata nga shoqëria civile që kanë nënshkruar këtë Manifest që i drejtohet të gjitha partive politike në Kosovë që të kenë prioritet dhe të mbrojnë të drejtat e grave, dhe si përfundim, do t’u dorëzohet të gjithë liderëve politikë.  

“E ardhmja jonë varet nga përkushtimi për barazi, drejtësi dhe respekt për të gjithë qytetarët. Ky manifest përshkruan kërkesat thelbësore që do të duhej të respektohen dhe të integrohen në politikat e partive politike. Gjithashtu, i bëjmë thirrje të gjitha partive politike që të adresojnë kërkesat tona në programet e tyre partiake”, thuhet mes tjerash në thirrjen e përbashkët.  

Ky Manifest ndërthur në vete 9 pika kyçe në vazhdim, ku shoqëria civile është fokusuar dhe bën thirrje për: Fushatë zgjedhore pa gjuhë të urrejtjes; Votoni dhe respektoni Ligjin e Punës; Votoni Kodin Civil që mbron të drejtat e njeriut; Zbatimi i Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor sipas Ligjit për Barazi Gjinore; Zbatimi i Ligjit kundër Dhunës me Bazë Gjinore; Rritja e qasjes në kopshte publike duke përfshirë edhe zonat rurale; Siguroni qasje në shëndetësi, sigurime shëndetësore dhe shëndet riprodhues; Fuqizoni një sistem arsimor që ndryshon normat gjinore; dhe Respektimi i parimeve të Ligjit për Barazi Gjinore drejt rritjes së pjesëmarrjes së grave në politikë. 

Përmes këtij Manifesti, organizatat e shoqërisë civile i bëjnë thirrje të gjitha partive politike që t’i miratojnë këto parime dhe të demonstrojnë përkushtimin e tyre ndaj të drejtave të grave përmes veprimeve dhe politikave të tyre. Por poshtu, i bëjnë thirrje votuesve që t’i mbajnë përgjegjës liderët politikë dhe të mbështesin kandidatët që kanë prioritet barazinë gjinore dhe fuqizimin e grave. 

Për të gjitha detajet që i përmban ky Manifest, lexojeni KËTU të plotë.  

Manifesti është nënshkruar nga: 

Artpolis – Art and Community  

Iniciativa Kosovare per Stabilitet – IKS  

Instituti Riinvest 

Kosova – Women 4 Women 

Youth Initiative for Human Rights – Kosovo (YIHR KS) 

Qendra Kosovare për Studime Gjinore 

CEL Kosova  

QIKA 

Csgd Kosovo 

Rrjeti i Grave të Kosovës 

Network of Roma, Ashkali and Egyptian Women’s Organizations of Kosovo 

The Foundation House