Në Prizren gratë njoftohen për rëndësinë e shëndetit riprodhues 

Me datë 27 shkurt, Organizata për Distrofi Muskulore e Kosovës (OPDMK) mbajti takim në Komunën e Prizrenit për të diskutuar lidhur me shëndetin riprodhues, higjienën intime dhe masat parandaluese për sëmundjet seksualisht të transmetueshme. Kjo nismë u ndërmorr në kuadër të projektit “Shëndeti për të gjithë”.  

Në takim ishin të pranishme 12 gra, disa nga të cilat nëna të fëmijëve me aftësi të kufizuara dhe disa të tjera me aftësi të kufizuara. 

Doktoresha Teuta Daullxhiu, në bashkëbisedim me gratë e pranishme, trajtoi rëndësinë e shëndetit riprodhues dhe këshilloi që asnjëherë të mos ketë neglizhencë për këtë çështje.  

Sëmundjet seksualisht të transmetueshme dhe rëndësia e kryerjes së Pap Testit ishin ndër temat që e përcollën tutje debatin.  

“Në Kosovë, për dallim nga vende të tjera, nuk ka ndonjë Plan Nacional që ndihmon gratë dhe vajzat të kryejnë Pap Testin, andaj edhe vetëdija për këtë temë mbetet e ulët,” u shpreh Daullxhiu. 

Ky projekt është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), si dhe është financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).