Në përpjekje për të ndryshuar normat tradicionale gjinore përmes arsimit, organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës, Ura Sociale në Vushtrri ka përfunduar nismën e cila synon këto ndryshime, duke analizuar fillimisht gjendjen nëpër shkolla.
“Gjatë aktivitetit kemi takuar rreth 300 nxënës të dy shkollave të mesme profesionale në Vushtrri, në takim me ta në orët mësimore të cilët janë targetuar paraprakisht për realizimin e observimit. Aty është parë nëse ka gjithpërfshirje, nëse bëhet promovimi i barazisë gjinore, stereotipive për dhunën me bazë gjinore në shkolla, planifikimi familjar dhe shëndeti riprodhues. Në shumicën e rasteve ka pasur gjithëpërfshirje, por ka qenë një përqindje ku mësimdhënësit nuk kanë qenë shumë të informuar rreth këtyre temave, që t’i shpjegojnë tek nxënësit. Kjo besoj ka ndodhur si mungesë e trajnimeve të mjaftueshme,” shpjegon drejtorja ekzekutive e Urës Sociale, Mërgime Jashari.
Ura Sociale ka zbatuar nismën “Promovimi i edukimit cilësor dhe transformimi i normave tradicionale gjinore” në një periudhë nga qershori deri në nëntor të 2023.
Organizata në bashkëpunim me Drejtorinë e Arsimit në Vushtrri, angazhoi palët kryesore duke përfshirë drejtorët e shkollave, edukatorët dhe studentët. Gjithashtu me këtë drejtori u nënshkrua një memorandum bashkëpunimi, duke forcuar partneritetin dhe nxitur mbështetjen e ndërsjellë dhe angazhimin për të përmirësuar praktikat arsimore.
Në qendër të metodologjisë së projektit ishte observimi i përpiktë i 15 orëve mësimore nëpër lëndë të ndryshme në ShMP “Bahri Haxha” dhe SHMT “Lutfi Musiqi”. Nëpërmjet këtyre observimeve u shfaqën njohuri të vlefshme në metodologjitë e mësimdhënies dhe proceset e të mësuarit, duke formuar bazën e një përmbledhjeje gjithëpërfshirëse të politikave.
Gjetjet e nxjerra në një përmbledhje të politikave, kjo organizatë ua ka shpërndarë palëve relevante.
Ura Sociale e realizoi këtë nismë si përfituese e raundit ë 18-të të Fondit të Grave të Kosovës, përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i iniciativës për të drejtat e grave II”, financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).