Me 29 korrik në Gjakovë, Medica Kosova dhe Djepi i Buzëqeshjes organizuan tryezën përmbyllëse në kuadër të nismës “Mobilizmi i grave asambleiste për adresimin e nevojave të grave të traumatizuara nga lufta”. Të pranishëm ishin përfaqësues të institucioneve lokale nga Gjakova dhe shoqëria civile, të cilët diskutuan rreth situatës së grave të cilat janë ballafaquar me dhunën seksuale gjatë luftës, si dhe trajtimin e tyre si përgjegjësi e institucioneve shtetërore.
Drejtorja Ekzekutive e Medica Kosova, Veprore Shehu shpalosi të arriturat e projektit duke theksuar rëndësinë e identifikimit të nevojave të grave të mbijetuara të dhunës seksuale dhe trajtimin e pasojave.
Në takim gjithashtu u diskutua për rëndësinë e krijimit të Kodit të Veçantë Buxhetor Gjinor pranë Zyrës për Barazi Gjinore kështu të krijohen parakushtet për gjithëpërfshirjen e nevojave si të burrave ashtu dhe të grave.
Për më tepër, Mimoza Shala, Kryetare e Grupit te Grave Asambleiste nga Komuna e Gjakovës tregoi që këto gra hezitojnë të kërkojnë të drejtat e tyre për shkak të mos besimit të theksuar ndaj institucioneve dhe stigmatizimit sistematik me të cilin ato ballafaqohen.
Sa i përket grave të cilat janë të traumatizuara nga lufta dhe identifikimit të tyre, ajo tutje tregoi se si proces është i mangët për shumë arsye. Kurse, ato gra të cilat janë identifikuar kanë filluar të pranojnë ndihmë nga shteti.
Si përfundim, të pranishmit u pajtuan që është i domosdoshëm forcimi i bashkëpunimit më formal mes OJQ-ve dhe institucioneve për të nxjerrë në pah dhe për të punuar më shumë rreth zgjidhjes së problematikave sociale, ekonomike, dhe shëndetësore më të cilat ballafaqohen kjo kategori.
Kjo nismë mbështetet nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK), financohet nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA) dhe bashkëfinancohet nga UN Women.