Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përgëzon Denis Mukwege dhe Nadia Murad, fitues të Çmimit Nobel të Paqes 2018.
Denis Mukwege është një gjinekolog kongolez i cili ka ndihmuar mijëra persona që kanë përjetuar dhunime. Nadia Murad, një Yazidi irakiane e shitur si skllave seksuale nga ISIS, nuk pranoi të heshtë duke folur për krimet e kryera kundër saj dhe grave të tjera.
Komisioni i Nobel tha: “Ata kanë vënë në rrezik sigurinë e tyre personale duke luftuar me guxim krimet e luftës dhe duke siguruar drejtësi për viktimat”.
Ne falënderojmë komisionin e Çmimit Nobel për Paqe për shfrytëzimin e këtij çmimi prestigjioz për të sjellë vëmendjen tek dhuna seksuale si një krim lufte dhe atyre mbrojtësve të guximshëm të të drejtave të njeriut të cilët vazhdimisht luftojnë për drejtësi. Për shumë kohë, viktimat kanë mbetur të heshtura për shkak të presionit publik dhe mbështetjes së pamjaftueshme. Së fundi, bota po flet për të mbështetur viktimat dhe për të thënë, ‘Ne jemi bashkë me ju për drejtësi. Ne jemi bashkë me ju për njohje. Ne jemi bashkë me ju. ‘
Përderisa shumë gra dhe disa burra në Kosovë vazhdojnë të kërkojnë drejtësi për krimet e dhunës seksuale që janë kryer kundër tyre, ne jemi të kënaqura që Qeveria e Kosovës më në fund ka ndërmarrë hapa për t’i njohur dhe mbështetur ata. Ne vazhdojmë të qëndrojmë me të gjitha gratë dhe burrat që kanë vuajtur krime të tilla në Kosovë dhe më gjerë. Ne shpresojmë që njohja e dhënë me Çmimin Nobel për Paqe do të sjellë ndërgjegjësimin dhe veprimin e mëtejshëm ndërkombëtar për të ju mbështetur edhe juve.