NORMA mban ligjerata me nxënësit e shkollave të mesme për parandalimin e dhunës

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Shoqata e Juristeve Norma, ka mbajtur takime informuese me 14 shkolla të mesme në Komunën e Prishtinës, me ç’rast u diskutuan temat lidhu me legjislacionin përkatës, çështjet gjinore, dhunën në familje, dhunën në shkollë, dhunën seksuale, nga aspekti edukativ dhe ai i parandalimit si dhe avokimin për përmirësimin e njohurive  dhe legjislacionit nga aspekti gjinor.

Nga muaji tetor i vitit 2021 deri në shkurt të vitit 2022, Norma përmes këtyre ligjëratave u takua edhe me ekipet drejtuese të shkollave. Psikologët e shkollave, mësimdhënësit, si dhe zyrtarët e Drejtorisë për Arsim në këtë komunë diskutuan së bashku për mënyrat e parandalimit të dhunës me bazë gjinore, si dhe për teknikat e përshtashme lidhur me edukimin cilësor dhe të ndjeshëm gjinor.

“Qëllimi ynë kryesor është që nxënësit të informohen  dhe të vetëdijësohen  për rolin e tyre në luftimin e dhunës”, tha Valbona Salihu, Drejtore Ekzekutive e kësaj shoqate.

 “Qasja në edukim cilësor është thelbësore për mbrojtjen nga shkelja e të drejtave të të rinjëve”, shtoi Salihu.

Këto aktivitete u realizuan në kuadër të nismës “Mëso dhe vepro për shoqëri pa dhunë me bazë gjinore”, të mbështetur nga raundi i 15-të i Fondit të Grave të Kosovës (FGK), financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA) dhe bashkë-financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë.