Për shkak të kufizimeve nga shoqëria, shumë gra në fshatrat e Komunës së Lypjanit kanë liri të kufizuar të lëvizjes. Sylbije Sahiti, Drejtoreshë Ekzekutive e Parajsës Sonë, gjeti një mënyrë për t’i tejkaluar këto kufizime: organizimi i trajnimeve në kopshtari, kultivim të frutave dhe perimeve, pasterizim të ushqimit, dhe marketing të produkteve. Këto çështje ngjallën kaq shumë interes saqë më shumë sesa 120 femra të moshës nga 18 deri 55 vjeç, kanë marrë pjesë në trajnim.
Gratë shpesh kanë ofruar shtëpitë e tyre si vende për zhvillimin e trajnimeve.
“Jam shumë e lumtur të ofroj këtë hapësirë me gratë,” tha Hanifja, një pjesëmarrëse, e cila ofroi kopshtin e saj për organizimin e trajnimit. “Gratë e kanë të vështirë të largohen nga shtëpia. Ky është një justifikim i shkëlqyer për t’iu larguar rutinës së përditshme.”
Gjatë trajnimeve të organizuara këtë verë, Sylbija iu tregoi grave se si të mbillnin fara dhe përdori shkathtësitë e saj prej udhëheqësje për t’i motivuar ato. Ato do të mund të marrin nisma për të fituar vetë para dhe madje të nisin një biznes të tyre, tha ajo.
“Është kënaqësi t’i ndani idetë me të tjerët dhe t’i bëni ëndrrat realitet,” u tha grave, të cilat ishin ulur në karrike plastike në lëndinë në trajnimin në fshatin Krojmir. “Në fillim, kur e mora këtë nismë, nuk kam patur mbështetje nga familja ime. Bashkëshorti im nuk mendonte se mund t’ia dilja mbanë. Megjithatë, sot ai e ka parë suksesin dhe është mjaft mbështetës. Tani mund të siguroj të ardhura për familjen time,” tha ajo. “Unë besoj se secila prej jush ka ide të papërsëritshme; mund të bëhet e suksesshme dhe të arrijë të fitojë para për veten dhe familjen.”
Për këtë nismë gjashtë-mujore, “Parajsa Jonë” ka marrë mbështetje nga Fondi i Grave të Kosovës (2,656 €).