Nga 1 prilli i 2022-tës e deri më 1 mars të 2023-tës mbi 700 persona janë vetëdijesuar për gjendjen e tyre shëndetësore dhe për të drejtën e grave për kujdes shëndetësor.
Kjo është arritur përmes nismës së organizatës anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Vita-Jeta të quajtur “Ndikimi i pandemisë COVID-19 dhe diabeti te të moshuarit”.
Ky projekt ka ndikuar edhe në informimin e zyrtarëve publikë për këtë temë. Kësisoj, 3-5 zyrtarë publikë, 500 gra dhe vajza dhe 200 burra janë vetëdijesuar për të drejtën e grave për kujdes shëndetësor, për mekanizma raportues dhe dokumentimin e shkeljeve të të drejtave të grave në kujdesin shëndetësor.
Vetëdijesim ka pasur edhe përmes rrjeteve sociale ku 20,000 gra, vajza, djem dhe burra janë ndërgjegjësuar për të drejtat e tyre në kujdesin shëndetësor përmes fushatës në rrjetet sociale.
Tutje, më 10 mars është mbajtur trajnimi mbi ndikimin e pandemisë dhe diabetit te të moshuarit si dhe të drejtat e grave në kujdesin shëndetësor. Përpos që grave pjesëmarrëse në këtë trajnim u është ligjëruar për tema si: diabeti, llojet dhe ndikimet e tij në shëndetin e njeriut; veçoritë, simptomat dhe shenjat e diabetit te të moshuarit; nivelet e sheqerit te të moshuarit, te gratë dhe burrat dhe arsyet e rritjes; diagnostikimi dhe komplikimet.
Pas ligjërimit të këtyre temave, internistja Valbona Bajraktari theksoi rëndësinë që ka vetëdijesimi i njerëzve dhe anëtarëve të familjes për diabetin.
“Unë me këtë kontributin tim mundohem sa më e afërt me qenë edhe ndaj grave edhe ndaj popullatës se diabeti është sëmundja më e përhapur në botë… Çdo ditë e shoh se njerëzit për herë e më tepër përmes telefonit dhe rrjeteve sociale pak a shumë kanë njohuri, pak a shumë kanë njohuri edhe anëtarët e familjes, kur ne e ligjërojmë këtë e bëjmë më tepër për trajnimin e familjarëve,” tha ajo.
Në anën tjetër, Pranvera Krasniqi, specialiste e mjekësisë sociale gjatë këtij trajnimi u ligjëroi grave pjesëmarrëse për të gjitha sfidat shëndetësore dhe sociale të moshimit, për dallimet që ndodhin në shëndet për shkak të gjinisë dhe për faktorët e rrezikut për sëmundjet masovike jo ngjitëse.
Ajo përmendi para të pranishmëve se që në moshë të re duhet të fillohet me një stil të shëndetshëm të jetës që njerëzit të plaken shëndetshëm dhe të qëndrojnë aktiv më gjatë.
“Gjithsesi duhet të ndikohet në faktorët e shëndetit që janë të modifikueshëm siç janë stili i jetës, aktiviteti fizik, menaxhimi i stresit dhe kështu me radhë për përmirësimin e shëndetit” -ishte një ndër këshillat që u dha nga Krasniqi.
Rëndësinë e këtij trajnimi e theksoi edhe Mimoza Nuhiu Ajeti, drejtoreshë ekzekutive e shoqatës Vita Jeta.
“Po besoj që ka pasur ngritje të vetëdijes sepse këto pjesëmarrëset që kanë qenë prezentë sot kanë mësuar diçka dhe këtë mund ta shpërndajnë pastaj edhe te të tjerët, dhe kështu dalë ngadalë arrihet ndoshta edhe vetëdijesimi,”tha Nuhiu Ajeti.
OJQ Vita-Jeta ka realizuar këtë aktivitet si përfituese e grantit të Raundit të 17-të të Fondit të Grave të Kosovës, përmes nismës së RrGK-së “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19”, financuar nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë.