Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) “Okarina e Runikut” gjatë muajit janar ka vazhduar aktivitetet e ndërmarra në kuadër të nismës katër-mujore “Fuqizimi i Gruas në Politikë dhe Vendimmarrje”, përkrahur nga rundi i 15 i Fondit të Grave të Kosovës (FGK).
Në takimin e mbajtur në Komunën e Mitrovicës, më 8 janar, përfaqësuesja e kësaj organizate, Luljeta Peci është takuar me përfaqësues të Kuvendit Komunal, si dhe aktiviste e organizata lokale të cilat punojnë për fuqizimin e pjesëmarrjes së grave në politikë dhe procese vendimmarrëse.
Kryesuesja e Kuvendit Komunal, Vesa Broja, u shpreh se gratë dhe vajzat e kësaj komune kanë nevojë për mbështetje institucionale.
Po ashtu, përgjatë takimit, palët u dakorduan për hartimin e një koncept dokumenti përmes së cilit çështja e pjesëmarrjes së barabartë të grave në politikën e nivelit lokal do të adresohet më tutje.
Pjesë e rëndësishëm e këtij diskutimi ishin edhe përfaqësuesit e partive politike, të cilët njëzëri u zotuan për promovimin e Buxhetimit të Përgjegjshëm Gjinor, duke filluar nga instancat komunale.
Kurse, më 14 janar, “Okarina e Runikut” ka dërguar rekomandime për Kuvendin Komunal të Mitrovicës, lidhur me rëndësinë e barazisë gjinore në nivelin lokal.
Disa nga rekomandimet janë si vijon:
- Gratë dhe burrat të përfaqësohen barabartë (50/50) në ekzekutivin e qeverisjes lokale;
- Komiteti i Barazisë Gjinore të shndërrohet në Komitet Konsultativ të Barazisë Gjinore, në mënyrë që të marrë pjesë edhe shoqëria civile;
- Komuna të hartojë një Strategji për Barazi Gjinore në terma të përgjithshëm, dhe/ose të hartojë Strategjinë e Grave në Komitetin për Ekonomi e Zhvillim;
- Të bëhet një dokument-analizë e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor të të gjitha drejtorive në Komunën e Mitrovicës; si dhe
- Të alokohet buxhet i mjaftueshëm për Zyrën për Barazi Gjinore, kjo në bashkëpunim me organizatat lokale për të drejtat e grave.
Realizimi i kësaj nisme u bë i mundur falë përkrahjes së marrë nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, përmes nismës së RrGK-së “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”.