OPDMK avokon fuqishëm për personat me aftësi të kufizuara   

Personat me aftësi të kufizuara çdo ditë përballen me vështirësi si: mundësitë e pakta për punësim, qasje e mangët në institucione, si dhe diskriminim nga shoqëria. Për më tepër, ata kanë predispozita që të preken më lehtë nga sëmundje të ndryshme. 

Me të vetmin qëllim që sado pak t’ua lehtësojë këtë situatë vajzave, grave dhe nënave të fëmijëve me aftësi të kufizuara, Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK) ndërmorri nismë“Shëndeti për të gjithë”, e cila u zbatua për nëntë muaj në Komunën e Prizrenit. 

61 është numri i personave që përfituan nga kjo nismë. E veçantë është se ky numër përbëhet nga shumica e komuniteteve që jetojnë në Prizren. 3 kroate, 10 turke, 4 boshnjake dhe 44 kosovare përfituan nga ligjëratat, takimet këshilluese, dhe tryezat avokuese si disa prej aktiviteteve kryesore që u shënuan përgjatë realizimit të nismës.  

Ligjëratat trajtuan çështjet si: kanceri i gjirit, rëndësia e kontrolleve gjinekologjike, dhe menaxhimi i stresit. Poashtu, me gra, vajza dhe djem me aftësi të kufizuara u mbajtën katër sesione fizioterapeutike.  

Çdo mëngjes po e puth dorën e karrocës, të cilën fillimisht e kam refuzuar”, shprehet njëra nga gratë përfituese.  

“Ajo [karroca] është privatësia ime, është liria e personit me aftësi të kufizuara”, thotë një tjetër përfituese. 

Këto dy gra tani do të gjejnë më shumë mirëkuptim edhe brenda familjeve të tyre, kjo sepse nga nisma e OPDMK-së përfituan edhe familjarët e personave me aftësi të kufizuara.  

Pas ligjeratave të mbajtura lidhur me rëndësinë e kontrolleve gjinekologjike dhe sëmundjeve të parandalueshme, 24 gra dhe vajza kanë kryer këto kontrolle, si dhe 6 djem kanë shkuar për vizita të rregullta mjekësore. 

Ndër sukseset e arritura përgjatë gjithë aktiviteteve, Antigona Shestan, Drejtore e OPDMK-së, përmend edhe largimin e përceptimeve të gabuara se personat me aftësi të kufizuara nuk mund të kenë shëndet të mirë, ose se ata janë barrë për familjarët.  

“Falë kësaj nisme gratë me aftësi të kufizuara kanë pasur mundësinë që haptas të bisedojnë për problemet shëndetësore, gjë të cilën më herët nuk kanë pasur rastin ta shprehin, si dhe të shkëmbejnë përvojat e tyre. Kështu duke pasur për bazë sfidat e identifikuara, është përpiluar lista me rekomandime për përmirësimin e shërbimeve shëndetësore”, thotë tutje Shestan. 

Kjo listë me rekomandime u është dërguar institucioneve komunale të Prizrenit. OPDMK ka prodhuar edhe materiale të tjera të cilat mund të përdoren nga institucionet: është publikuar një udhëzues për familjarët e personave me distrofi muskulare, si dhe është punuar një broshurë për punëtorët shëndetësorë mbi trajtimin e personave me aftësi të kufizuara. 

ODPMK ka mbajtur takim edhe me përfaqësues të Drejtorisë së Shëndetësisë, me ç’rast ka avokuar që të sigurohet të paktën një tavolinë hidraulike, të cilën këto gra do ta përdornin për kryerjen e vizitave gjinekologjike.