OPDMK kërkon të drejta për personat në karrige me rrota

Dy vullnetarë shtyjnë një karrige me rrota, të zbrazët, deri në majën e kodrës së kështjellës së lashtë të Prizrenit, duke simbolizuar në këtë mënyrë zhgënjimin e personave me distrofi muskulare, të cilët nuk munden ta bëjnë këtë udhëtim. Ky ishte njëri prej aktiviteteve të shumta që janë organizuar për të festuar javën e personave me distrofi muskulare.
    
Këtë vit, Organizata për Personat me Distrofi Muskulare të Kosovës (OPDMK), është përqendruar në mbështetjen e pamjaftueshme nga institucionet publike. Vetëm Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve dhe Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës e kanë mbështetur në aspektin financiar organizatën gjatë dy viteve të fundit.
    
Ata kanë lëshuar balona me ngjyra të ndryshme në qiellin e kaltër. Secila balonë kishte emrin e një institucioni i cili do të duhet të punojë në drejtim të mbrojtjes së të drejtave të njeriut. Balonat janë lëshuar në të njëjtën kohë nga kështjella dhe nga qendra e qytetit.
“Për gjashtë ditë, nëpërmjet aktiviteteve të ndryshme, do të ngremë zërin dhe do t’i tregojmë problemet, nevojat dhe shqetësimet tona, si dhe do t’i zgjidhim në të dyja nivelet: në atë lokal dhe qendror,” ka thënë Antigona Shestan nga OPMDK. “E mira është që ky projekt është në vazhdimësi të asaj që kemi bërë vitin e kaluar përmes përmes projektit tonë, i cili është mbështetur nga Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës, ku kemi arritur të shenjojmë 27 nga rreth 50 pika qasjeje në ndërtesat publike për personat me distrofi muskulore. Kjo është realizuar nëpërmjet bashkëpunimit me Departamentin e Shërbimeve Publike të komunës tonë.”
    
Më 27 maj, ata e kanë dekoruar edhe një lule të bukur me letra shumëngjyrëshe, ku secila shprehte një nevojë, sfidë apo problem me të cilët ndeshen personat me distrofi muskulare. Ata hapën një çadër në të cilën ata dhe vullnetarët kanë shpërndarë fletëpalosje për të drejtat dhe kërkesat e personave me distrofi muskulare. Ata kanë performuar edhe një dramë të shkurtër, me anën e së cilës kanë shprehur problemet me të cilat përballen në jetën e tyre të përditshme.
“Mungesa e zbatimit të disa urdhëresave administrativë dhe ligjeve përsa i takon qasjes teknike në ndërtesat publike, e bën të vështirë qasjen për njerëzit me aftësi të kufizuara, ndërkohë që këto probleme nuk janë duke u zgjidhur,” ka thënë Gëzim Abazi nga Handicap Kosova. “OJQ-të, dhe në veçanti Handicap Kosova, tashmë nuk po kërkojnë vetëm zbatimin e këtyre ligjeve, por gjithashtu po kërkojnë edhe të verifikojnë se kush nuk po i zbaton ato, me qëllim që ata njerëz të gjobiten.”
    
OPDMK gjithashtu do të dorëzojë një dokument në të cilin detajohen të drejtat dhe kërkesat e tyre, dhe ku identifikohen pikat e tjera të qasjes në ndërtesat publike, të cilat duhet të rregullohen nga institucionet përgjegjëse për zgjidhjen e këtyre problemeve.