OPDMK përmbyll me sukses nismën “Shëndeti për të Gjithë”

Prizren – Më 27 qershor Organizata e Personave me Distrofi Muskulare e Kosovës (OPDMK), ka mbajtur takimin përmbyllës në kuadër të iniciativës “Shëndeti për të gjithë”, mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) i Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK).

Në takim të pranishëm ishin përfaqësues nga shoqëria civile, Komuna e Prizrenit, si dhe nga RrGK-ja.

Drejtorja e OPDMK-së, Antigona Shestan ka treguar për të pranishmit se qëllimi i përgjithshëm i kësaj nisme ishte ruajtja dhe përmirësimi i shëndetit të grave dhe fFëmijëve me aftësi të kufizuara në Komunën e Prizrenit.

Përgjatë diskutimit interaktiv me të pranishmit, Shestan prezantoi të arriturat nga realizimi i kësaj nisme. OPDMK-ja gjatë periudhës 9 mujore ka mbajtur takime vet-përkrahëse me personat me aftësi të kufizuara, me prindërit/kujdestarët e fëmijëve me aftësi të kufizuara, ligjërata me specialistë të shëndetësisë, sesione të fizioterapisë për personat me aftësi të kufizuara dhe prindërit e tyre, si dhe sesione këshilluese me infermierë.

Shestan bëri të ditur se do të avokojë fuqishëm që të sigurojë të paktën një tavolinë hidraulike, të cilën këto gra do ta përdornin për kryerjen e vizitave gjinekologjike.

Gratë dhe vajzat me aftësi të kufizuara kanë vlerësuar jashtëzakonisht shumë njohuritë e marra nga këto takime, përderisa në fund së bashku dhanë mesazhin se edhe pse me aftësi të kufizuara mund të kenë jetë të shëndetshme.

Kjo iniciativë është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës, dhe është financuar nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).

LEXO EDHE: Në Prizren gratë njoftohen për rëndësinë e shëndetit riprodhues.

 

Në Prizren gratë njoftohen për rëndësinë e shëndetit riprodhues