Buxhetimi i Përgjegjshëm Gjinor (BPGj) është një strategji e rëndësishme për promovimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave. Sot, 28 shkurt, Nicole Farnsworth, Drejtore e Programit dhe Udhëheqëse e Hulumtimit në Rrjetin e Grave të Kosovës (RrGK) mbajti një trajnim online mbi BPGj-në me Organizatat e Shoqërisë Civile (OSHC) për të drejtat e grave në Ballkanin Perëndimor.
BPGj-ja ndihmon që buxhetet qeveritare të jenë të dizajnuara në atë mënyrë që t’i adresojnë nevojat dhe prioritetet specifike të grave dhe burrave drejt shpërndarjes së burimeve në mënyrë më efikase, transparente dhe që promovojnë barazinë gjinore.
BPGJ përfshin integrimin gjinor në të gjitha fazat e procesit buxhetor: planifikimin, ekzekutimin, monitorimin dhe vlerësimin.
Për shkak të situatave të ndryshme sociale, ekonomike dhe politike që mund të gjenden burrat dhe gratë ata mund të kenë nevoja, prioritete dhe interesa të ndryshme, të cilat duhet të merren parasysh në të gjitha fazat e procesit buxhetor.
Duke cituar Sharp, Farnsworth shpjegoi se tri synimet thelbësore të iniciativave buxhetore gjinore janë:
• T’i bëjë qeveritë të përgjegjshme për buxhetimin gjinor dhe të jenë të përkushtuar për politikat;
• Të ndryshojë dhe përmirësojë buxhetet dhe politikat e qeverisë për të promovuar barazinë gjinore;
• Të rrisë ndërgjegjësimin dhe të kuptuarit për çështjet gjinore dhe ndikimet e buxheteve dhe politikave.
Duke ndarë shembuj dhe mësime të nxjerra nga përvoja që RrGK ka për më shumë se një dekadë për BPGJ-në, Farwnsowrth ofroi metodologji, pika hyrëse dhe ide për tejkalimin e sfidave të mundshme.
Pjesëmarrësit e organizatave të shoqërisë civile ishin të interesuar në përkthimin e njohurive në praktikë brenda konteksteve të tyre kombëtare dhe komunale, dhe Farnsworth i udhëzoi ata përmes hapave dhe mekanizmave specifikë që ata mund t’i përdorin për t’u angazhuar në avokimin komunal, kombëtar dhe ndërkombëtar drejt institucionalizimit dhe aplikimit të BPGJ-së.
RrGK vazhdon të punojë drejt institucionalizimit të buxhetimit të përgjegjshëm gjinor në Kosovë në të gjitha nivelet.
Si anëtare e Rrjetit Mbikëqyrës të Buxhetimit Gjinor, RrGK vazhdon të monitorojë përparimin në këtë drejtim, të kryejë analiza gjinore për të mbështetur buxhetimin gjinor dhe për të avokuar për reformat.
Ky trajnim i veçantë u mbajt në bazë të kërkesave të organizatave të shoqërisë civile për një trajnim të tillë, si pjesë e Koalicionit për Barazi Gjinore në Procesin e Anëtarësimit në BE (EQUAPRO), mbështetur nga Bashkimi Evropian dhe Agjencia Suedeze për Zhvillim Ndërkombëtar (Sida).