Pak shpresë dhe drejtësi për gratë e vrara në Kosovë 

Me datë 19 shkurt, Gjykata e Apelit vërtetoi aktgjykimin e shkallës së parë të Gjykatës Themelore në Ferizaj, në lidhje me vendimin për burgim të përjetshëm për Dardan Krivaqën, vrasësin e M.O, e cila humbi jetën si pasojë e lëndimeve tejet të rënda, e cila ishte vetëm 18 vjeç në rastin kur ndodhi vrasja. Gjykata këtë dënim e bazoi në nenin 173 të Kodit Penal të Republikës së Kosovës, paragrafi 1, nënparagrafi 1.4 i cili thekson se dënohet me 10 vjet burgim deri në burgim të përjetshëm, personi i cili “privon nga jeta personin tjetër në mënyrë mizore apo dinake”. 

Ngjashëm, muaj më parë, më saktësisht me datë 27 dhjetor 2024, Edmond Lajçi u dënua me burgim të përjetshëm për vrasjen e bashkëshortes së tij Gj.U. i cili u dënua bazuar në nenin 173 të Kodit Penal, paragrafi 1, nënparagrafi 1.3 i cili thekson se dënohet me 10 vjet burgim deri në burgim të përjetshëm, personi i cili “privon nga jeta anëtarin e familjes”.  

Edhe pse këto dy raste tregojnë një qasje më të përmirësuar të trajtimit të vrasjeve, prapë prokuroria dhe gjykata ka dështuar ta theksoj motivin gjinor që qëndron prapa këtyre vrasjeve, ashtu siç e parasheh edhe Kodi Penal, në nenin 173, paragrafi 1, nënparagrafi 1.10 ku theksohet se vrasja konsiderohet e rëndë kur për motiv ka “kombësinë, gjuhën, besimin fetar ose mungesën e besimit fetar, ngjyrën e lëkurës, gjininë, identitetin gjinor, orientimin seksual, ose për shkak të afërsisë me persona me njërën nga këto karakteristika të mbrojtura”. 

Rrjeti i Grave të Kosovës, përmes Programit për “Një jetë pa dhunë me baza gjinore”, ka avokuar për një kornizë ligjore e cila e adreson dhunën me bazë gjinore dhe dhunën ndaj grave.  

Lidhur me këto problematika, RrGK ka bërë edhe një reagim lidhur me rastin e një të miture e dhunuar për herë të dytë nga burra të tjerë.

Lexo këtë: https://womensnetwork.org/sq/deshtimet-institucionale-bejne-viktimat-e-dhunes-seksuale-viktima-te-trafikimit/

Ne mbesim të përkushtuara për një bashkëpunim më të thelluar me institucionet e drejtësisë, që të rritet vetëdija që vrasja e cila vjen si pasojë e dhunës me bazë gjinore, apo siç njihet ndërkombëtarisht si Femicid, pra vrasje e grave vetëm pse ato janë gra, të reflektohet në vendimet e gjykatave dhe në aktgjykimet e prokurorëve.  

Gjatë vitit 2025, RrGK do të organizojë trajnime për zyrtarë që kanë për detyrë ta luftojnë dhunën me bazë gjinore, përfshirë këtu edhe gjyqtarë e prokurorë, me qëllim të ngritjes së vetëdijes për dhunën me bazë gjinore si dhe për një qasje me viktimën në qendër, siç e kërkon edhe legjislacioni ynë, derivuar nga Konventa e Stambollit. 

Poashtu, RrGK do të vazhdojë të ofrojë këshillim ligjor për të gjitha viktimat e dhunës në familje, dhunës ndaj grave dhe dhunës me bazë gjinore. Për më shumë rreth këshillimit ligjor na kontaktoni në: +39348105800.