Pak gra kanë arritur të bëjnë atë që Parashqevi Qiriazi mori përsipër dhe arriti gjatë jetës së saj.
E lindur më 2 qershor 1880, në Manastir, ajo ia kushtoi jetën alfabetit të gjuhës shqipe dhe mësimit të gjuhës së shkruar shqipe duke u shndërruar më vonë në njërën nga figurat kryesore të iluminizmit shqiptar të fundshekullit 19 dhe fillimit të shekullit 20.
Duke shkuar gjurmëve të motrës së saj, Sevasti Qiriazit, Parashqevia vazhdoi studimet në kolegjin e Stambollit për vajza “Robert College” në degën e letërsisë ku do të shquhej për veprimtaritë e saj studentore. Kështu ajo u bë mësuese dhe pak muaj më vonë drejtuese në Shkollën shqipe të Vashave në Korçë.
Si pioniere të emancipimit të grave dhe vajzave shqiptare, motrat Qiriazi zënë një vend nderi në historinë e arsimit e kulturës shqiptare, edhe për faktin se e ngritën shkollën e tyre të vajzave në një kohë shumë të vështirë, kur në vend ekzistonte një prapambetje e madhe, dhe gruaja ndodhej e shtypur, e përbuzur, e lënë në injorancë dhe padituri.
“Ajo (Parashqevia) kishte përqafuar pikëpamjen dhe luftën e Gjerasim Qiriazit: që vetëm përmes arsimit mund të shndërrohej dhe çlirohej shpirti i një kombi në errësirë. Veçanërisht një komb do të përparonte më shpejt në këtë rilindje të tij nëse do të arsimoheshin gratë edhe vajzat, bërthama e familjes. Pa nëna të arsimuara dhe të kulturuara, nuk do të mund të kishim një komb që përparon. Kështu që ajo iu kushtua, derisa e lanë, shkollimit të vajzave shqiptare, lartësimit dhe ndriçimit kulturor përmes organizimit të shoqërisë “Ylli i mëngjesit” dhe përmes angazhimit të saj me shkrime në shtypin e kohës,” thotë studiuesja e jetës dhe veprës së saj, Teuta Toska.
Më 1908 Parashqevia ishte e deleguara e Shkollës së Vajzave në ngjarjen historike të Kongresit të Manastirit, ku ajo u caktua sekretare e njëmbëdhjetë të dërguarve, që do të zgjidhnin problemin e alfabetit shqip.
Më pas ajo shkroi në vitin 1909 Abetaren sipas alfabetit të ri shqiptar si dhe himnin e alfabetit shqip. Ajo është e njohur, së bashku me motrën e saj, për emancipimin e grave shqiptare dhe për rolin e saj kryesor në themelimin e shoqatës së parë të grave “Yll’ i Mëngjesit”, më 1912 në qytetin e Korçës.
Në vitin 1913 ajo përfundoi masterin për edukim në Kolegjin Oberlin në Ohio. Në tezën e masterit ajo hartoi një sistem arsimor kombëtar për Shqipërinë e sapoçliruar.
Për rolin që e luajti në emancipimin e vajzave dhe grave shqiptare, UNESCO në 50 vjetorin e vdekjes së saj, e krahason atë me figura të shquara ndërkombëtare.
“Roli i saj pionier në edukimin dhe emancipimin e grave në Perandorinë Osmane mund të krahasohet vetëm me arritjet e Marianne Hainisch në Austri, Annestine Beyer në Danimarkë ose Maria Montessori në Itali. Parashqevi Qiriazi ishte gruaja e parë që shkroi një libër shkollor në gjuhën shqipe dhe e vetmja grua që mori pjesë në Kongresin e Manastirit, i cili kodifikoi alfabetin shqip në nëntor 1908. Mbajtëse e dy diplomave (Robert College, Stamboll dhe Oberlin College, Ohio, USA), ajo mori pjesë në Konferencën e Paqes në Paris në 1919”, thuhet në shkrimin e UNESCOs.
“Revista që ajo drejtoi në rininë e saj, si dhe shoqata e grave ku ajo ishte një nga themeluesit, mbanin emrin e ‘Yllit të Mëngjesit’, i cili i shkonte për shtat mrekullisht kësaj gruaje, kontributi i së cilës në emancipimin e popullit shqiptar ishte i paçmuar”, shkruan UNESCO për Qiriazin.
Parashqevia dhe Sevastia kontribuan gjithashtu edhe në periodikun “Shqiptarja”, që botohej nga organizata Gruaja Shqiptare, që funksionoi mes viteve 1928 dhe 1939.
Revista dallohej për artikujt “problematikë” të cilët kërkonin të hidhnin poshtë mendimin konservator që ishte në kundërshtim me lëvizjen e grave dhe kërkesat e saj.
Në vitin 1914 Parashqevia u largua nga Shqipëria për në Rumani së bashku me motrën e saj si pasojë e pushtimit grek të Korçës nga Lufta e Parë Botërore dhe më vonë shkoi në Shtetet e Bashkuara duke u bërë një figurë e shquar e komunitetit shqiptaro-amerikan. Ajo u kthye në Shqipëri në vitin 1921.
Parashqevia qëndroi si një antifashiste e vendosur gjatë gjithë Luftës së Dytë Botërore duke filluar nga pushtimi italian i vitit 1939. Për shkak të pikëpamjeve të saj antifashiste, ajo dhe motra e saj u burgosën dhe u internuan në kampin Anhalteleger Dedinje afër Beogradit nga njësitë pro-naziste. Ajo mbijetoi dhe u kthye në Tiranë pas luftës. Fatkeqësisht, një tjetër persekutim do të ndiqte atë dhe familjen e motrës së saj, këtë herë nga regjimi komunist, për shkak të qëndrimit pro monarkisë së kunatit të saj, Kristo Dako.