Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka pasur nderin që për gjashtë javë (Gusht-Tetor 2019) ka bashkëpunuar me Prof. Martine Robinson Beachboard, Eksperte e Komunikimit nga Universiteti Idaho i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA).
I gjithë stafi, e në veçanti ekipi koordinues për Marrëdhënie me Publikun, si dhe organizatat anëtare të RrGK-së përfituan tejet shumë nga profesionalizimi dhe ekspertiza e Beachboard, kjo kryesisht përmes punëtorive interaktive si dhe ndihmës së saj në zhvillimin e strategjive të komunikimit.
Në kuadër të projektit “Avancimi i Komunikimit Strategjik të RrGK-së”, Beachboard udhëhoqi 10 punëtori interaktive me 20 anëtarë të stafit, takoi 17 përfaqësuese të organizatave anëtare, redaktoi një sërë publikimesh dhe mentoroi individualisht shkrimet e stafit.
Më 13 shtator ajo udhëhoqi një punëtori për krijimin e strategjive të komunikimit. Me këtë rast, Beachboard prezantoi para anëtareve të RrGK-së praktikat më të mira për promovimin e organizatave të tyre para audiencave më të gjëra, përmes shkrimit profesional dhe rritjes së pranisë në rrjete sociale.
“Edhe pse dija shumë gjëra në lidhje me marrëdhëniet me publikun, kjo punëtori ishte shumë praktike dhe e dobishme ”, u shpreh përfaqësuesja e OJQ-së Artpolis, Venera Ismaili.
Për të ofruar ekspertizën e saj, gjatë muajit tetor Beachboard po ashtu u takua me përfaqësues të Qendrës Kosovare për të Mbijetuarave të Torturës (QKRMT).
“E kemi vlerësuar sinqerisht shumë vizitën e Prof.Beachboard në QKRMT. Diskutimi i hapur me të na ka ndihmuar që të mendojmë mbi atë se si duhet të paraqesim punën e organizatës sonë”, thotë Franklin Cade Martin, Zyrtar për Marrëdhënie me Publikun në QKRMT. “Teksa ne filluam punën me disa projekte të reja, perspektiva e saj për mënyrën e përçimit të mesazheve ashtu që të theksojmë anët tona të forta dhe të paraqesim të veçantat e organizatës sonë ka shërbyer si një pikë referuese tejet e mirë. Një pikëpamje profesionale nga jashtë organizatës është gjithmonë mundësi e mrekullueshme. Shpresojmë se vizita e Prof.Beachboard ka qenë po aq e suksesshme për të, aq sa ka qenë për ne.”
Kontributi dhe ndihma e Bechboard mbetet shumë e vlerësuar nga stafi i RrGK-së.
Gresë Sermaxhaj, Koordinatore për Marrëdhënie me Publikun ka qenë në mesin e njerëzve që kanë punuar nga afër me Beachboard.
“Kam pasur kënaqësinë që të bashkëpunoj me Dr. Beachboard që prej ditës së saj të parë në RrGK. Kontributi i saj ka pasur një rëndësi të veçantë dhe shumë të çmuar në punën tonë, duke filluar prej ndihmës së ofruar në punë të përditshme, deri në ndihmën profesionale të ofruar për çështje më të mëdha”, thotë Sermaxhaj.
Po ashtu, Rudina Voca, praktikante për Marrëdhënie me Publikun tashmë që pesë muaj në RrGK, çmon njohuritë e marra nga puna me Beachboard.
“Kam pas mundësinë që të punoj ngushtë me Dr.Beachboard për të hartuar strategjinë e RrGK-së për marrëdhënie me publikun”, thotë Voca. “Ajo po ashtu ka mbikëqyrur dhe redaktuar disa publikime të lidhura me punën tonë. Kurse, përgjatë punëtorive individuale dhe atyre grupore unë kam ndihmuar atë me gjërat e nevojshme: diçka që më ka ndihmuar shumë në përmirësimin e praktikave të komunikimit”.
Ky vlerësim për përvojën e shkurtë profesionale është i dyanshëm.
”Ka qenë një prej përvojave më përmbushëse që kam pasur ndonjëherë”, shprehet Beachboard.
“Kosova është një vend i vogël por me asete të shumta për t’u përballur me sfidat e pas-luftës. Ndër pikat e saj të forta janë gratë aktiviste që përpiqen të rrisin standardet e të drejtave të njeriut dhe drejtësisë”
Duke falënderuar RrGK-në për këtë mundësi ajo shton “Ky udhëtim më bëri ta vlerësoj më shumë Ballkanin Perëndimor. Tani dua që të ndaj pikëpamjet e mia me amerikanët e tjerë”.
Prof.Beachboard solli përvojën profesionale dhe akademike në RrGK falë Ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, përmes Programit Botëror të Mësimit të Fondacionit Fulbright (Fulbright Foundation World Learning Program), i cili promovon lidhjet ndërmjet akademikëve dhe profesionistëve amerikanë dhe homologëve të tyre në institucionet jashtë vendit, bashkë financuar nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA).
Artikuj të ngjashëm:
Gjashtë javë në RrGK, një përvojë e jashtëzakonshme për Beachboard
Mbahet punëtoria mbi Komunikimin me organizatat anëtare të RrGK-së