Biblioteka Kombëtare “Pjetër Bogdani” më 7 qershor ishte vendtakimi i shumë njerëzve që ishin mbledhur në promovimin e librit “Ditari i një gruaje të Kosovës (Shkurt 1998 – mars 1999) – Lufta përpara luftës”, të aktivistes Sevdije Ahmeti (1944-2016).
Shtëpia botuese “Buzuku” promovoi këtë libër në kuadër të shënimit të 20-vjetorit të ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, kurse të ardhurat e këtij libri do të dhurohen për shkollimin e vajzave kosovare.
Aktivistja Naxhije Buçinca, njëherit fituese e çmimit të RrGK-së “Sevdije Ahmeti” u shpreh se kontributi i Ahmetit ishte i jashtëzakonshëm.
“Falënderoj Rrjetin e Grave të Kosovës që e mori guximin për themelimin e çmimit “Sevdije Ahmeti”, nuk ka fjalë që e përshkruan veprën e saj. Sevdija punoi shumë për Kosovën, e deshi shumë Kosovën”, tha Buçinca.
Po ashtu ish-presidentja Atifete Jahjaga ka vlerësuar lart kontributin e Ahmetit, duke thënë se ajo ishte një aleate për të drejtat e të mbijetuarave të dhunës seksuale.
“Sevdijen e kujtoj si grua të guximshme, të zëshme dhe të pakompromis kur bëhej fjalë për të drejtat e grave. Sevdijen e kujtoj si aleate të fuqishme në betejën tonë për njohje ligjore dhe drejtësi për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë”, tha Jahjaga, duke shtuar se ky libër duhet të shërbejë për ta mbajtur gjallë kujtimin për veprat e Ahmetit.
Veprën dhe kontributin e Ahmetit, shkrimtari francez, Juan Asensio, e ka vlerësuar si formë të rezistencës.
“Sevdija nuk është dorëzuar, po ka dëshmuar për tmerret që kanë ndodhur para syve të saj”, ishin fjalët e kritikut francez Asensio.
Djali i së ndjerës Ahmeti, Urim Ahmeti ka thënë se nëna e tij i përket gjeneratës që mbolli kulturë, sakrifikoi dhe ndërtoi frymën e respektit.
“Pasiqë është kthyer prej vizitave nëpër fshatra, deri vonë natën i ka shkruar çdo ditë këto shkrime. Ose kudo që ka qenë në Kosovë gjatë këtyre ditëve më të vështira. E maj mend unë zgjohesha prej gjumit dhe e shihja atë para kompjuterit duke shkruar. Është një punë voluminoze të cilën e ka bë dhe është shpërndarë në të gjitha anët e botës”, u shpreh ai.
Melodi të violinës përcollën provomimin e librit, teksa poezi për Ahmetin recituan Safete Rogova, Shukrije Gashi dhe Sheqerie Buçaj.
Kujtojmë se Sevdije Ahmeti ishte njëra ndër aktivistet e para për të drejtat e grave në Kosovë, lëvizje që nisi në vitet e ’90-ta krahas kërkesës për liri dhe pavarësi.
LEXO EDHE: Diskutohet propozimi i RrGK-së që monumenti Heroinat të emërohet “Sevdije Ahmeti”.