Protestohet në Drenas me moton Pro Mësimit, Jo përdhunimit

Sot në Drenas duke filluar nga ora 12:00 u mbajt protesta me moton “Pro Mësimit, Jo përdhunimit e organizuar nga Shoqëria Civile e Drenasit. Nën brohorimat “Pro mësimit, jo përdhunimit”, “Aborti është zgjedhje, jo detyrim”, “Sje hetues, po përdhunues”, “Shkolla është e jona, jo e pedofilëve” protestuesit marshuan nga Gjimnazi Gjergj Kastrioti Skëndërbeu drejt Stacionit Policor të Drenasit.
Protestës i janë bashkangjitur disa mësimdhënës, nxënës të shkollës së Drenasit, aktivistë e qytetarë nga qytetet e ndryshme të Kosovës.
Organizatorët gjatë protestës ngritën keto pika:

• Ndërprerja e licencës së gjinekologut dhe mbyllja e klinikës ku është kryer aborti i paligjshëm;
• Largimi i profesorit nga shkolla;
• Mbikëqyrje më rigoroze nga drejtori i shkollës;
• Zotim publik nga komandantit i Policisë në Drenas që: Me vetiniciativë t’i kërkojë Inspektoriatit të Policisë, të kryejë hetim të komplet stacionit policor në Drenas për raste të ngjashme; Varësisht nga gjetjet, të merren masa; Të organizojë trajnime për ngritje të vetëdijes së stafit, në lidhje me barazinë gjinore, trajtimin e këtyre rasteve dhe etikës në punë; Të bashkëpunojë ngushtë me shoqërinë civile dhe organizatat rinore, për trajtim të shqetësimeve shoqërore; si dhe të të sigurohen që të implementohet me rigorozitet, Neni 37, pika 9 të LIGJI Nr. 04/L-076 PËR POLICINË.

Pas protestës, aktivistët kanë zhvilluar edhe një aksion simbolik, gjatë së cilit kanë shpalosur një pankartë në formë të mirënjohjes, në të cilën shkruhej: Vesel Veseli, përdhunuesi.
Lidhur me këtë rast poashtu edhe dje me 7 shkurt është mbajtur një protestë para Policisë së Kosovës në Prishtinë.
Ndërsa për të lexuar kumtesën që RrGK ka dërguar ju lutem klikoni më poshtë:

E mitura dhunohet, shantazhohet dhe i rrezikohet shëndeti: i dyshuar kryesor një zyrtar policor