Më 16 qershor, Qendra Kosovare për Studime Gjinore (QKSGJ) organizoi një konferencë ku prezantuan raportin e tyre të fundit mbi "Politikat Gjinore në Shoqërinë Civile dhe Sektorin Privat".
Prezantimi ishte pregaditur nga anëtarët e stafit të QKSGJ-së, Luljeta Demolli, Lavdi Zymberi dhe Nita Zogiani, përderisa hapja u bë nga Kushtrim Kaloshi, drejtor ekzekutiv i Qendrës së Trajnimeve dhe Burimeve për Avokim (ATRC). Kaloshi përshkroi çështjet jo vetëm të përfshirjes së strategjive gjinore në shoqërinë civile dhe sektorin privat, por edhe se si të fokusohemi në mënyrën e zbatimit të tyre me efikasitet.
Prezantuesit ofruan zgjidhje për t’i mbajtur organizatat përgjegjëse për vendet e lira të punës jo-diskriminuese, të tilla si krijimi i kritereve të mundshme dhe politikave të shkruara për t’u ndjekur, trajnimi i anëtarëve të stafit, zbatimi i dispozitave të sigurisë brenda ligjit të punës, përmirësimi i funksionimit të inspektoratit të punës etj. Në përgjithësi, projekti prekte tema të rëndësishme të sigurimit shëndetësor, sigurinë në punë, kohëzgjatjen e kontratës, pushimin e atësisë, dhe mbrojtjen e të drejtave të punëtorëve.
Znj. Lavdi Zymberi, një nga hulumtueset kryesore, theksoi nevojën për të analizuar nevojat dhe shqetësimet e ndryshme në mes të grave dhe burrave. Në gjetjet e saj, ajo arriti në përfundimin se shqetësimi kryesor i punëtorëve gra ishte sigurimi shëndetësor, veçanërisht sepse shumica e vendeve të punës nuk ofrojnë sigurim shëndetësor, ndërsa shqetësimi kryesor i punonjësve burra ishte paga. Gjithashtu, diskriminimi dhe mungesa e mbrojtjes rezultoi të ishte një çështje e përsëritur brenda mjediseve të punës, kryesisht të vërejtura në shpalljet për vendet e lira të punës ose tendenca për të punësuar disa punonjës të caktuar për të shmangur pushimin e mundshëm të lehonisë. Znj. Zymberi arriti në përfundimin se jo vetëm që nuk ka mbrojtje për rastet e ngacmimeve seksuale, si për shembull mungesa e personelit të trajnuar të burimeve njerëzore, por që shumë punonjës nuk janë në dijeni të të drejtave mbrojtëse edhe nëse janë në dispozicion.
Gjatë diskutimit të hapur të konferencës, të pranishmit falënderuan dhe komentuan punën e projektit. Përderisa shumë ishin mirënjohës që QKSGj ka hulumtuar çështjet brenda vendeve të punës, disa përmendën nevojën për një popullsi më të larmishme të hulumtimit, siç janë përfshirja e sektorëve nga rajone të tjera në Kosovë ose studimi i personave me aftësi të kufizuara dhe diskriminimi i tyre. QKSGj u përgjigj se ata planifikojnë të vazhdojnë kërkimet e tyre dhe do të zgjerohen në fusha dhe identitete të ndryshme.
Raporti u publikua si pjesë e “Përfshirjes së perspektivës gjinore në shoqërinë civile dhe sektorin privat", në kuadër të Programit Angazhimi për Barazi – E4E dhe u financua nga USAID.Raportin e plotë mund ta lexoni në: http://www.kgscenter.net/wp-content/uploads/2015/05/QKSGJHulumtimi.pdf. Qendra Kosovare për Studime Gjinore gjithashtu është anëtare e RrGK-së.