QPDG mban ligjëratë shëndetësore me të mbijetuarat e dhunës seksuale

Organizata anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Qendra për Promovimin e të Drejtave të Grave (QPDG) në Drenas, po vazhdon zbatimin e nismës përfituese nga rundi i 15 i Fondit të Grave të Kosovës, “Shërbime psikosociale për gratë të cilat kanë përjetuar dhunë seksuale gjatë luftës në Kosovë”. 

Në kuadër të kësaj nisme, QPDG po mban takime avokuese për të drejtat e grave për qasje në kujdes shëndetësor. Aktiviteti i radhës ishte ligjërata me Dr. Vjosa Devaja, e cila foli gjerësisht për “Infeksionet seksualisht të transmetueshme”. 

Pjesëmarrëset u informuan për infeksionet e ndryshme, bartjen e tyre, shkaktarët, simptomat, dhe trajtimin e duhur.  

Devaja tha se nuk duhet të ketë tabu për trajtimin e infeksioneve seksualisht të transmetueshme. 

“Çdokush mund t’i ketë këto infeksione andaj kujdesuni për veten duke bërë menjëherë vizita te mjeku. Mostrajtimi i tyre shkakton komplikime të tjera shëndetësore, dhe në rast shtatzënie, ato përcillen edhe te fëmija”. 

Në fund të ligjëratës, ajo adresoi pyetjet e pjesëmarrëseve, të mbijetuara të dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë, të cilat u shprehën falënderuese për këtë mundësi, në mënyrë që të kenë informata të sakta për shëndetin e tyre, dhe qasjen në kujdes shëndetësor. 

Kjo nismë financohet nga Agjencia Austriake për Zhvillim dhe bashkëfinancohet nga Agjencia Suedeze për bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar, përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë, në kuadër të nismës së RrGK-së “Avancimi i Mëtejshëm i të Drejtave të Grave në Kosovë II”.   

Në shtator të këtij viti, RrGK shpalli përfituesit e këtij rundi të FGK-së , i cili vazhdon mbështetjen e nismave që kontribuojnë në përmirësimin e kushteve të jetës për gratë anë e mbanë Kosovës. 

Të gjitha këto nisma po kontribuojnë direkt në zbatimin e Strategjisë së RrGK-së për vitet 2019-2022, e cila është përpiluar bashkë me anëtaret e RrGK-së.