"Mjaft": qytetarët ecin për të dënuar dhunën dhe për të kërkuar drejtësi më 20 May 2011.

Qytetarët ecin, për të dënuar dhunën në familje

Më 20 maj, RrGGK organizoi ecjen për të dënuar dhunën dhe për të kërkuar drejtësi. Vrasja e fundit që ndodhi, ku humbi jetën Diana Kastrati (27), jashtë mase shqetësoi RrGGK-në dhe qytetarët e Kosovës. Ky ishte rasti i katërt brenda një viti ku gruaja humb jetën si pasojë e dhunës në familje.

Gjatë kësaj ecje qytetarët patën mundësi të nënshkruajnë edhe peticion i cili kërkonte:

  • Reagim të menjëhershëm nga Policia e Kosovës për ta gjetur kryerësin dhe për të grumbulluar dëshmitë kundër tij;
  • Trajtim ekspeditiv të këtij rasti dhe rasteve tjera të pazgjidhura të dhunës në familje, siç ishte rasti i vrasjes së Dr. Igballe Llalloshit, që mbetet i pazgjidhur për më shumë se një vit; dhe
  • Zotim nga bashkëqytetarët tonë për ta dënuar aktivisht dhe për do folur haptas kundër dhunës në familje në shtëpitë e familjarëve, fqinjëve dhe miqve tonë.

Peticioni iu dërgua Policisë dhe Këshillit Gjyqësor të Kosovës duke kërkuar zbatim të menjëhershëm të këtyre kërkesave. Nënshkrimet janë mbledhur gjatë ecjes dhe gjithashtu nëpërmjet postës elektronike dhe ueb-faqes së RrGGK-së.