Ligji aktual i Punës është ndër shkaktarët e pjesëmarrjes së ulët të grave në tregun e punës (rreth 12%). Kjo sepse ky ligj nuk u njeh burrave pushimin prindëror. Atyre u lejohet të marrin pushim vetëm dy ditë me pagesë dhe dy javë pa pagesë, pushim të cilin mund ta shfrytëzojnë kurdo para se fëmija të arrijë moshën trevjeçare. Kurse, me këtë ligj gratë gëzojnë 12 muaj pushim, duke përfshirë këtu nëntë muaj me pagesë dhe tre muaj pa pagesë.
Kështu ky ligj i diskriminon burrat, duke mos u ofruar atyre të drejta të barabarta për të qenë me fëmijët, njëherit edhe duke zvogëluar pjesëmarrjen e grave në ekonomi.
Qendra për Mbrojtjen e Grave dhe Fëmijëve (QMGF) “Raba Voca” përmes nismës “ Pushimi prindëror si model i ardhshëm në Kosovë ”, të realizuar në Mitrovicë, Vushtrri, dhe Skenderaj ka mbajtur sesione informuese, diskutime me qytetarë dhe përfaqësues institucional, hulumtime si dhe ka bërë shpërndarje të informatave përmes mediave. Të gjitha këto aktivitete të mbështetura nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK) u bënë me qëllim të vetëdijësimit dhe lobimit rreth rëndësisë së madhe që ka realizimi praktik i të drejtave të barabarta të grave dhe burrave për të qenë më fëmijët e tyre.
Përmes këtyre aktiviteteve për pushimin prindëror si mundësi e promovimit të barazisë gjinore u vetëdijësuan rreth 330 gra dhe 80 burra, kurse plot 3 mijë qytetarë morën më shumë informata për përfshirjen e baballarëve në përkujdesjen ndaj fëmijëve.
QMGF “Raba Voca” ka mbajtur takime me akterët kyç të Komunës së Mitrovicës, Skenderajt dhe të Vushtrrisë, ku është disktutuar rreth pushimit të përbashkët prindëror dhe për të mirat të cilat do të fitoheshin në rast se edhe burrave do t’u takonte ky pushim. Ndër këto të mira numërohen: afërsia më e madhe ndërmjet babait dhe fëmijës, si dhe fuqizimi ekonomik i grave.
“Pushimi i atësisë do të na mundësonte ne, grave, që të ktheheshim në vendin e punës më shpejtë dhe të mos shkëputemi për kohë shumë të gjatë. dhe në këtë mënyrë kemi mundësi të ulim rrezikun e shndërrimit në të papunësuara, të marrjes së një page më të ulët apo të uljes në pozitë pas kthimit në punë”, u shpreh një pjesëmarrëse në njërin nga takimet e “Raba Voca”.
Kurse, Hyka Imeri, Zyrtare për Barazi Gjinore në Komunën e Skenderajt theksoi se “vajzat diskriminohen që në barkun e nënës, në momentin që dihet seksi i foshnjës. Tradita dhe mentaliteti janë shumë të vështira për t’u ndryshuar”.
Ky avokim nuk u kufizua vetëm më gratë e interesuara për t’i ndjekur aktivitetet e as vetëm me instituconet. Takime janë mbajtur edhe me studente të Univeristetit të Mitrovicës, e publik dukshëm më i gjërë u arrit kur Drejtorja Ekzekutive e “Raba Voca” Fidane Hyseni përmes TV Mitrovicës dhe Radio Vicianum ka njoftuar qytetarët me këtë nismë.
Gjatë pesë muajve sa zgjatën këto aktivitete, në tri komunat e përfshira është realizuar edhe një hulumtim. Nga pyetësori i realizuar me 150 gra dhe burra të moshës 17-90 vjeç vërehet se një numër tejet i vogël i qytetarëve e kanë shfrytëzuar pushimin e përbashkët prindëror. Në pyetjen hulumtuese se kujt i takon kujdesi ndaj fëmijëve, pjesa më e madhe janë përgjigjur se u takon të dy prindërve. Një përqindje janë përgjigjur se u takon vetëm grave, kurse një përqindje edhe më e vogël kanë vlerësuar se kujdesi ndaj fëmijëve u takon vetëm burrave.
Ky projekt është mbështetur nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK), si dhe është financuar nga Agjencioni Austriak për Zhvillim (ADA).