Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK), është njoftuar për aktvendimin e marrë nga Gjykata Themelore në Prishtinë lidhur me propozimin për Masë të Përkohshme të paraqitur në padinë nga ana e Avokatit të Popullit kundrejt Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), për mospërfaqësim të barabartë të grave në lista zgjedhore. Masa e përkohshme ka pasur për qëllim suspendimin e efekteve juridike të çertifikimit të listave zgjedhore të cilat nuk kanë garantuar përfaqësimin e barabartë gjinor të kërkuar me Ligjin për Barazi Gjinore, votuar nga ana e deputetëve të Kuvendit të Republikës së Kosovës në muajin qershor të vitit 2015. RrGK shpreh indinjim të thellë kundrejt mungesës së vullnetit të institucioneve të drejtësisë për të bashkëpunuar me Avokatin e Popullit në adresimin e çështjeve të pabarazisë gjinore.
Gjykata Themelore në Prishtinë, e ka hedhur poshtë propozimin për Masën e Përkohshme në fjalë duke supozuar se Avokati i Popullit nuk e ka bërë të besueshme kërkesën e tij dhe se i njejti nuk ka paraqitur fakte në të cilat mbështetë kërkesën për caktimin e masës së përkohshme, për rishikimin e listave zgjedhore të partive politike.
Tutje, Gjykata në aktvendimin e saj kërkesën e Avokatit të Popullit e ka cilësuar si të pa-bazuar dhe si jo urgjente, ani pse zgjedhjet kombëtare janë në prag dhe se si rrjedhojë e këtij mos-veprimi institucional gratë nuk do të përfaqësohen në mënyrë të barabartë.
Sidoqoftë, përkundër vendimit të marrë, Avokati i Popullit në Kërkesë-padinë e tij ka dhënë statistika konkrete të jo-proporcionalitetit të përfaqësimit të grave në listat zgjedhore, gjë që përbën faktor evident dhe dëshmi se ekziston diskriminimi me bazë gjinore si diskriminim grupor. Sipas Nenit 16 të Ligjit për Avokatin e Popullit, ky i fundit ka të drejtë të fillojë hetimin e shkeljeve apo lirive të të drejtave të njeriut, në emër të një numri të madh të qytetarëve. Si rrjedhojë, në kuadër të këtij neni Avokati i Popullit konsiderohet përfaqësues i grupit të cënuar nga e drejta – si subjekt i kërkesës së hedhur poshtë nga gjykata, dhe meqë lista e kandidatëve zgjedhor si e tërë është diskriminuese, i takon gjykatës që të veprojë urgjentisht.
Poashtu, siç parashihet edhe me Ligjin për Barazi Gjinore për përfaqësimin e barabartë si dhe Nenin 18 të Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi lidhur me diskriminimin grupor në mënyrë eksplicite ceket se “Rastet e diskriminimit të cilat prekin grupet e personave mund të inicohen nëpërmjet një veprimi grupor të ndërmarrë në emër të tyre nga një organizatë jo-qeveritare ose nga Avokati i Popullit, në raste të tilla, nuk kërkohet pëlqimi i anëtarëve të grupit.” Poashtu ligji specifikon se veprimet e tilla ligjore dorëzohen në gjykatën kompetente, me pretendimin i cili vendos se sjellja e tillë ka shkelur të drejtën për trajtim të barabartë në raport me pjesëtarët e grupit si dhe ndalon ndërmarrjen e veprimtarive të cilat shkelin apo mund të shkelin të drejtën për trajtim të barabartë, nga ana e gjykatës kompente (Ligji kundër Diskriminimit, Neni18, paragrafi 3).
Vendimi i Gjykatës mbi arsyetimin se kërkesa e Avokatit të Popullit nuk ka qenë konkrete, sepse masat e sigurimit të cilat mund të caktohen janë të numërta dhe Avokati i Popullit “nuk ka specifikuar se cila masë e sigurimit nga LPK duhet të ndërmirret” qëndron rrjedhimisht i pabazë.
Poashtu një kërkesë e tillë ka qenë e përfshirë në kërkesë-padinë e Avokatit të Popullit për lëshimin e masës së përkohshme, si në vijim:
“Kërkohet nga gjykata që të ndalojë ndërmarrjen e veprimtarive të cilat shkelin apo mund të shkelin të drejtën për trajtim të barabartë, apo të kryejnë veprimtari të cilat eliminojnë diskriminimin apo pasojat e tij në lidhje me trajtimin e pabarabartë të grave në të drejtat zgjedhore dhe të pjesëmarrjes.” Poashtu, arsyetimi i dhënë nga Gjykata në refuzimin e kërkesës së Avokatit të Popullit për masën e përkohshme, ku kërkohet që Avokati Popullit të ketë dërguar se kush janë subjektet/individët që nuk janë përfshirë në listën zgjedhore, është non-sens juridik i cili del përtej kërkesës, meqë ka të bëj më diskriminim grupor që është vërtetuar qartë me kërkesën e Avokatit të Popullit meqë çështja ka të bëjë me mundësinë për përfaqësim të barabartë sipas kërkesave të Ligjit për Barazi Gjinore.
Kërkesa e tillë e përfshirë në padinë e Avokatit të Popullit, do të mund të ekzekutohej me karakter të përkohshëm, ashtu siç është e përcaktuar në LPK, në mënyrë që të mos prejudikohet çështja kryesore, por të veprohet në kuadër të kësaj kërkese deri sa të vërtetohen rrethanat faktike. Me anë të refuzimit të masës së përkohshme, në fakt gjykata vetë ka prejudikuar edhe zgjedhjen lidhur me çështjen kryesore të padisë në fjalë.
Mos-njohja e legjislacionit përkatës nga ana e gjykatës dhe parimeve të Ligjit kundër Diskriminimit si dhe Ligjit për Barazi Gjinore është shqetësuese dhe kjo tregon edhe një vendim i cili në fakt ka nxjerrë padinë për grupet e diskriminuara nga zbatimi praktik, duke shkelur parimet e legjislacionit përkatës dhe duke pamundësuar poashtu edhe përdorimin e të drejtës së ankimimit me vendimin e Gjykatës Themelore në fjalë.
Rrjeti i Grave të Kosovës edhe një herë e konsideron të papranueshme mungesën e njohurisë së ligjeve të pakos së drejtave të njeriut në Kosovë si dhe mungesën e gatishmërisë së institucioneve të drejtësisë të reagojnë sipas kërkesave ligjore, duke rrezikuar edhe zbatimin e këtyre ligjeve në praktikë. Poashtu RrGK dënon edhe mos-gatishmërinë e institucioneve përkatëse për të hetuar më tutje çështjen e diskriminimit të grave në listat zgjedhore dhe mungesën e vullnetit të tyre për të kontribuar në përfaqësim të barabartë gjinor.