Regjistro tani pronën e përbashkët apo vetëm në emrin tuaj!

     Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) me mbështetjen e PPSE Swiss Contact që nga muaji maj 2016 është duke zbatuar projektin “Shtëpia ime, e drejta ime”. Projekti ka për qëllim ofrimin e ndihmës ligjore dhe financiare për regjistrimin e pronës së paluajtshme në emër të gruas, si pronare e vetme ose bashkëpronare.
     Deri më sot, RrGGK ka ndihmuar rreth 106 raste për regjistrimin e pronës. Një nga këto raste, është ai i çiftit Fatime dhe Jahir Limaj, prindër të tre fëmijëve. Fatmija dhe Jahiri merren me bujqësi, kryesisht me mbjelljen e perimeve në një tokë afër shtëpisë. Ato më pas i tregtojnë në tregun mobil në Prishtinë.
     Vite më parë, çifti kishte blerë këtë tokë nga një kushëri i afërt, mirëpo asnjëherë nuk kanë ndërmarrë ndonjë hap që ta regjistrojnë në pronësi. Për të zhvilluar aktivitetin e tyre bujqësor, çifti Limaj kishin vendosur të aplikojnë për grante. Fatkeqësisht, kjo nuk është realizuar asnjëherë sepse gjithmonë u është kërkuar që toka të jetë në emrin e tyre. Në Kosovë ka aq shumë raste të tilla që bien pre e mentalitetit, sa që për shumë vite kjo dukuri është shndërruar në normalitet. Si rrjedhojë, kjo u ka pamundësuar atyre ta përdorin tokën si pasuri të tyre.
Arta Shushka, koordinatore e terenit në këtë projekt, ka vizituar çiftin Limaj për t’i informuar më detajisht rreth mundësive dhe procedurave për regjistrimin e pronës.
     “I takova dhe ju tregova për të drejtat e tyre. I njoftova edhe për udhëzimin administrativ që ka për qëllim regjistrimin e pronës në emër të dy bashkëshortëve pa pagesa administrative”, është shprehur Arta.
     Menjëherë pas këtij takimi, çifti Limaj së bashku me Artën janë drejtuar tek zyra komunale kadastrale në Komunën e Malishevës për të nisur menjëherë procedurat e nevojshme. Ata të dy tashmë kanë regjistruar tokën e tyre si pronë të përbashkët.. 
     “Jemi shumë të kënaqur, pasi që është hera e parë që po e ndjejmë që toka është e jona. Shpresojmë që edhe Ministria e Bujqësisë e Komuna të na ndihmojnë me grante që ta zhvillojmë aktivitetin tonë bujqësor, nga i cili jetojmë dhe shkollojmë fëmijët”, kanë thënë Fatime dhe Jahir Limaj.
     Për të përfituar ndihmë falas për regjistrimin e pronës së përbashkët apo pronës në emrin tuaj, na shkruani në: regjistropronen@gmail.com ose na thirrni në: +381(0)38 245 850.
     Shtëpia ime, e drejta ime!