Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) në konferencën ndër-parlamentare mbi "Pjesëmarrjen Politike të Grave në Ballkanin Perëndimor dhe Turqi", të organizuar në Parlamentin Evropian në Bruksel më 4 mars ishte ndër folëset kryesore në emër të RrGGK-së. Gjatë seancës mbi "Përmirësimin e numrit të grave në vendim-marrje në vendet e zgjerimit: Praktikat më të mira nga rajoni", Rogova dha një pasqyrë të historisë së pjesëmarrjes së grave në Kosovë, duke vënë në dukje pjesëmarrjen më të barabartë të grave dhe burrave në vendim-marrje gjatë viteve 1990.
“Gratë kanë bërë gjëra të cilat burrat nuk kanë guxuar t’i bëjnë në atë kohë,” tha ajo. “Gratë ishin të guximshme”.
Megjithatë, pas luftës, gratë ishin të detyruara të fillojnë përpjekjet për pjesëmarrje të barabartë në politikë, kryesisht për shkak të Misionit të Kombeve të Bashkuara në Kosovë (UNMIK), që promovonte udhëheqës burra nën pretekstin e rrremë se Kosova ishte një shtet patriarkal që i mungonin gratë udhëheqëse.
Mes këtyre sfidave, në 15 vitet e fundit aktivistet për të drejtat e grave në Kosovë nuk u dorëzuan. Ato shtynë përpara kuotën për pjesëmarrjen e grave në kuadër të ligjeve për zgjedhje.
Gjithashtu, ato mbështetën krijimin e Ligjit për Barazi Gjinore, dhe avokuan që Agjencia për Barazi Gjinore (ABGJ), të vendoset në nivelin më të lartë të vendim-marrjes, tek Zyra e Kryeministrit të Republikës së Kosovës, në mënyrë që ABGJ të mund të integroj barazinë gjinore në të gjitha institucionet në Kosovë dhe të bëjë rishikimin e ligjeve dhe politikave në nivel qendror për të siguruar perspektivën gjinore.
Aktivistet kanë bashkëpunuar me gratë parlamentare, kryesisht përmes Grupit të Grave, për të avokuar për çështjet me interes të përbashkët. Tani RrGGK ka zhvendosur fokusin, duke bashkëpunuar më shumë me asambleistet komunale, zyrëtarët për barazi gjinore, gratë në shoqërinë civile dhe burrat përkrahës në nivel komunal përmes Lobit për Barazi Gjinore. Lobi vazhdon të avokojë për barazi gjinore në nivel lokal, për të ndarë përvojat dhe për të bashkëpunuar në fushatat kombëtare.
“Ne nuk mund të mendojmë vetëm për Prishtinën,” tha Rogova, por duhet të mendojmë për të gjithë Kosovën.”
Rogova foli poashtu për punën e Bashkimit Evropian në Kosovë.
“BE-ja po inkurajon dhe po financon bashkëpunimet rajonale, por në të njejtën kohë e ka burgosur Kosovën sepse liberalizimi i vizave i është bërë të gjitha vendeve përveç Kosovës," tha ajo. “Mungesa e liberalizimit të vizave prek të gjithë, duke përfshirë aktivistet për të drejtat e grave të cilat kanë nevojë për të udhëtuar, por e kanë lirinë e lëvizjes të kufizuar." Ajo i bëri thirrje BE-së të rishqyrtojë pozicionin e saj diskriminuese për liberalizimin e vizave për Kosovën që po i bën qytetarët e Kosovës që ende të ndihen të mbyllur dhe të izoluar.
Delegacione të tjera nga vende të para-pranimit (në BE) gjithashtu morën pjesë në konferencë, duke përfshirë Bosnje dhe Hercegovinë, Malin e Zi, Maqedoninë, Shqipërinë, Serbinë dhe Turqinë. Përveç Rogovës morrën pjesë edhe pjesëtarë të tjerë të delegacionit nga Kosova përfshirë katër gra parlamentare, anëtarë të Komisionit Evropian, përfaqesues të Institutit Evropian për Barazi Gjinore, ambasadave, dhe organizatave joqeveritare.
Kjo konferencë u përcjell me një darkë të organizuar nga Nënkryetarja e Parlamentit Evropian, Ulrike Lunacek.