Rreth 100 gra dhe vajza në strehimoren e Pejës përfituan nga këshillat juridike dhe psikologjike 

Jo vetëm strehim, por edhe mbështetje juridike, psikologjike dhe aftësim profesional. Të gjitha këto ua ka ofruar Qendra për Mirëqenien e Gruas në Pejë shumë grave dhe vajzave që kanë përjetuar abuzim dhe dhunë në familje. Kjo organizatë anëtare e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) vetëm në vitin e kaluar ka strehuar 120 gra dhe fëmijë, duke iu ofruar një shtëpi të dytë larg nga dhuna dhe abuzimet tjera.  

Në një periudhë njëçjecare nga prilli i vitit të kaluar deri në muajin mars të këtij viti strehimorja ka mbajtur seanca psikologjike për rreth 100 gra dhe vajza. 

Qendra për Mirëqenien e Gruas si përfituese e grantit nga raundi i 17 i Fondit të Grave të Kosovës i RrGK-së i mbajti seancat në kuadër të nismës “Ofrimi i strehimit, mbështetjes ligjore dhe psikologjike për gratë e mbijetuara të dhunës”.  

Ardita Ramizi Bala, drejtore e kësaj qendre ka shpjeguar se grave të strehuara u janë ofruar këshilla juridike përgjatë një periudhe gjashtë mujore lidhur me mbrojtjen nga dhuna në familje. 

“Në këtë projekt 12 mujor, për gjashtë muaj ka ardhur një avokate një herë në jave për të biseduar me gratë e strehuara për të drejtat e tyre dhe për çfarëdo çështje që grave u ka interesuar, nëse ka pasur të bëjë me trashëgiminë, urdhrat mbrojtës apo Ligjin për mbrojtje nga dhuna në familje,” ka thënë Ardita Ramizi Bala.

“Në të njëjtën kohë kemi pasur edhe një psikologe e cila për 12 muaj i ka përkrahur me seanca psikologjike gratë që kanë pasur nevojë të shprehen, të krijojnë një ndjenjë më të mirë vlerësimi për vetveten,” tha ajo. 

Qendra gjithashtu ka ngritur kapacitetet e 20 grave të strehuara për mundësi punësimi. 

Në komunikim me Drejtorinë e Mirëqenies Sociale në Komunën e Pejës është avokuar për krijimin e mundësive për banim social për tri viktima pas daljes nga strehimorja. 

Duke qenë se gratë dhe vajzat janë të detyruara të qëndrojnë të mbyllura në strehimore, Qendra për Mirëqenien e Gruas u ka ofruar ndjekjen e kurseve të ndryshme, si formë për kalimin e kohës, por edhe për aftësim profesional. 

“Gjatë kësaj kohe kemi pasur edhe material për kurse sepse te ne është sistemi i mbyllur i strehimores dhe aty (gratë) punojnë kurse të kuzhinierisë, kompjuterëve, floktarisë, rrobaqepësisë, punëdore të ndryshme, “tha drejtorja e strehimores, duke shtuar se të gjitha këto gjëra kanë sjellë përparim te gratë dhe vajzat e strehuara në këtë qendër. 

“Progres kemi vërejtur sepse interesimi për të marrë pjesë në të dyjat ka qenë i madh, sepse gratë nuk i kanë ditur ato gjëra. Më parë ato nuk kanë pasur kohë të takohen me një avokate prandaj ato kishin interesim dhe në të njëjtën kohë u bë vetëdijesimi i tyre për çështje të ndryshme,” tha ajo. 

Ky projekt u mbështet nga FGK me mbështetjen e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë përmes nismës së RrGK-së “Ngritja e kapaciteteve dhe qëndrueshmërisë së OShC-ve: Avancimi i barazisë gjinore në mes të pandemisë COVID-19”.