RrGGK dënon rëndë rastin e ngacmimit seksual të së miturës nga zyrtari komunal në Istog

Dje, sipas burimeve të Koha.net, u bë i njohur lajmi se një e mitur në Istog është ngacmuar seksualisht në komunë nga një zyrtar i kësaj komune, përderisa po aplikonte për bursë. Pasi që e dëmtuara e ka paraqitur rastin në Policinë e Republikës së Kosovës, thuhet se personit që e ka ngacmuar atë seksualisht, i është shqiptuar masa e paraburgimit prej 24 orëve. 

 

Ndërsa, Kryetari i Komunës së Istogut, z. Haki Rugova nuk ka dashur që rasti të cilësohet si skandaloz duke thënë se problemi në fjalë mund të zgjidhet (shkruan Koha.net).

RrGGK thekson se ky është një rast skandaloz dhe dënon rëndë qëndrimin e kryetarit Haki Rugova, pasi mbi të gjitha ky rast është edhe shkelje e Ligjit për Mbrojtje nga Diskriminimi, Neni 4, artikulli 1.3 "Ngacmimi konsiderohet diskriminim, kur një sjellje e padëshirueshme (që përfshin por, nuk kufizohet në sjellje të natyrës së padëshirueshme seksuale dhe/apo psikologjike, që ka për qëllim apo pasojë shkeljen e dinjitetit të personit dhe krijimin e ambientit frikësues,armiqësor, degradues, nënçmues apo fyes) mbi bazat e përcaktuara në nenin një (1) të këtij Ligji.”

 

 

Andaj, RrGGK kërkon që institucionet përgjegjëse të ndërmarrin masat e duhura dhe kryesit të kësaj vepre t’i shqiptohet dënimi i merituar.