Me 6 dhjetor 2014, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), mbajti Kuvendin Vjetor të 12-të të Anëtareve të RrGGK.
Kuvendi u hap më shfaqjen e dokumentarit për Fondin e Grave të Kosovës të RrGGK, i cili u themelua në vitin 2012 për të kontribuar në aktivitetet që organizojnë anëtaret e RrGGK.
“Gjatë këtij viti që po lëmë pas, kemi qenë përfaqësues të denjë të nevojave dhe interesave të grave,” u shpreh Ariana Qosaj Mustafa, Kryetare e Bordit të RrGGK, në fjalën e saj përshëndetëse pas shfaqjes së dokumentarit.
Më pas, përmes një video të pranishmëve i’u drejtua Ulrike Lunacek, Zv. Presidente e Parlamentit Europian.
“E vlerësoj shumë faktin që RrGGK nxitë bashkëpunime në mes të grave dhe vajzave në Kosovë dhe përfshinë edhe akterë të tjerë të ndryshëm në punën e saj të përditshme, pa marrë parasysh se a vepron në nivel lokal, regjional apo ndërkombëtar. Falë punës suaj, vizioni për një shoqëri Kosovare ku burrat dhe gratë janë të barabartë bëhet realist, por prap se prap mbetet shumë për tu bërë për të realizuar të drejtat dhe mundësitë e barabarta për gratë në Kosovë,” tha Znj. Ulrike Lunacek. “Poashtu, më lejoni të ju përgëzoj për aprovimin e grantit nga Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, që tregon se jo vetëm unë personalisht jam e bindur për punën tuaj të përditshme, por të bindur janë edhe akterë të tjerë të BE-së”.
Në vazhdim fjalën e morri z. Besim M. Kajtazi, Drejtor i Zyres Ligjore në Zyrën e Kryeministrit, i cili shprehu mirënjohjen për rolin që ka luajtur RrGGK në zbatimin e Ligjit për Barazi Gjinore dhe duke folur për luftën kundër dhunës në familje ai dha një mesazh për të pranishmet: “të gjithë ata që bëjnë dhunë ndaj grave nuk duhet të shihen si burra, por si t’ligsht.”
Arsim Aziri, përfaqësues nga zyra e Austrian Development Agency (ADA) në Kosovë, foli për mënyrën se si filloi dhe rrodhi bashkëpunimi me RrGGK-në ndër vite duke i uruar RrGGK-së dhe anëtareve të saj suksese në angazhimet e ardhshme.
Më tutje, të pranishmeve i’u drejtua Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e RrGGK.
“RrGGK është rrjet avokues, prandaj ne do të avokojmë edhe sot, pasi që këtë vit, Kuvendi Vjetor i RrGGK-së u organizua me moton ‘Me Shyhreten’, si konfirmim i përkrahjes së RrGGK për Znj. Shyhrete Berisha, e cila humbi bashkëshortin dhe fëmijët e saj gjatë luftës dhe aktualisht është duke kërkuar të drejtën e saj në pronë. RrGGK qëndron pranë saj dhe të gjitha grave që ende përpiqen për të realizuar të drejtën e tyre ligjore për pronësi në Kosovë,” u shpreh Znj. Rogova. “Mirëpo së fundi, ka filluar edhe një përkrahje për një person i cili me punën e tij po na bind se ka shpresë për ndryshime në Universitetin e Prishtinës, e ai është Ramadan Zejnullahu, Rektor i Universitetit Publik të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’. Prandaj, ne sot dalim edhe në përkrahje të tij, dhe themi se jemi ‘Me Rektorin’.”
Znj. Rogova më pas përmendi sukseset dhe rezultatet e RrGGK; dha shembuj konkret të solidaritetit të treguar brenda rrjetit; foli për Strategjinë e re të RrGGK 2015-2018 dhe falenderoj Austrian Development Agency (ADA) dhe Zyren e Bashkimit Evropian në Kosovë për përkrahjen e tyre, që do të luaj rol kyç në zbatimin e Strategjisë së RrGGK 2015-2018.
Fjalën e morri edhe Delina Fico në emër të rrjetit të organizatave të Shqipërisë, Aktiviste për të Drejtat e Njeriut dhe njëherit Anëtare e Bordit Këshillues të RrGGK.
“RrGGK është në fakt një burim inspirimi edhe për grupet e grave në Shqipëri, sepse ju jeni një rrjet mbarëkombëtar i cili ka filluar dhe vazhduar punën në rradhë të parë në sajë të energjisë dhe dëshirës së organizatave për bashkëpunim,” tha Znj. Fico. “Ju jeni një model i suksesit për grupet e grave tek ne, dhe ajo nga e cila ne në Shqipëri kemi ende nevojë të mësojmë është fakti që jeni të suksesshme në sjelljen e perspektivës gjinore në debate të mëdha që kanë të bëjnë me zhvillimin e Kosovës”.
Më tutje, RrGGK ndau mirënjohje për bizneset të cilat në mënyrë të vazhdueshme përkrahën RrGGK në forma të ndryshme, ku hyjnë: Night Design, Llampa, Hotel Sirius, Hotel Prishtina dhe Hotel Dolce Vita në Durrës.
RrGGK gjatë Kuvendit Vjetor të 12-të të Anëtareve, poashtu bëri edhe zgjedhjen dhe rizgjedhjen e katër anëtarëve të Bordit të RrGGK. Komisioni i përbërë nga Zana Hoxha Krasniqi, Anëtare e Bordit të RrGGK; Xhejrane Lokaj, Drejtore e organizatës anëtare të RrGGK Iniciativa e Grave; dhe Besa Shehu, Menaxhere Financiare dhe Administrative në RrGGK, numëruan votat e anëtareve. Anëtare të reja të Bordit të RrGGK u zgjodhën: Ariana Qosaj Mustafa (48 vota), Besim M. Kajtazi (46 vota), Nermin Mahmuti (40 vota) dhe Hajrulla Çeku (32 vota). Ola Syla, ishte gjithashtu e rinominuar për anëtare të bordit dhe nuk mori votat e duhura.
Gjatë pauzës, anëtaret gjithashtu vlerësuan punën e RrGGK-së për vitin 2014. Rezultatet e pyetësorëve të plotësuar nga anëtaret si dhe Raporti Vjetor final i RrGGK do të bëhen publike në fillim të vitit 2015.