Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) kundërshton vendimin e Ministrisë së Drejtësisë (MD) që ta adoptojë një pjesë të Repartit të Gjinekologjisë në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës (QKUK) në burg, për të burgosurit që kanë nevojë për trajtim spitalor.
RrGGK është e vetëdijëshme që e drejta për trajtim spitalor të të burgosurve, nëse ata janë vërtetë të sëmurë, është e drejtë themelore e njeriut, dhe mos rrespektimi i saj do të përbënte shkelje të rëndë të të drejtave të njeriut të personave të privuar nga liria.
Poashtu, ne jemi të vetëdijshëm që Shërbimit Korrektues të Kosovës (ShKK) i mungon një qendër spitalore për trajtimin e të burgosurve brenda objekteve të veta dhe se jo rrallë, ShKK është detyruar që të burgosurit t’i dërgojë në spitalet rajonale apo në QKUK.
Megjithatë, RrGGK është kundër vendimit të MD që ta adoptojë një pjesë të Repartit të Gjinekologjisë në QKUK në burg për të burgosurit, që kanë nevojë për trajtim spitalor. Kjo nuk duhet të konsiderohet si mundësi, duke e pasur parasysh që në këtë repart marrin shërbime shëndetësore gra lehona dhe fëmijë të posalindur.
Shëndërrimi i hapësirave të këtij reparti në burg, do të nënkuptonte qëndrimin në hapësira të përbashkëta të grave lehona dhe fëmijëve, dhe të të burgosurve, gjë që cënon sigurinë e grave lehona dhe fëmijëve, sidomos në rastet kur kemi të bëjmë me të burgosurit e rrezikshmërisë së lartë.
Poashtu, prania e të burgosurve që mund të vuajnë nga sëmundje të ndryshme, ndonjëherë edhe ngjitëse, cënon edhe shëndetin e nënave dhe fëmijëve.
RrGGK konsideron se është më se e nevojshme që të bëhet ndërtimi i një spitali për të gjitha burgjet e Kosovës, brenda hapësirës së Institucioneve që janë nën përgjegjësi të ShKK, me një staf profesional që do t’i përmbushte standardet ndërkombëtare, si në aspektin e ofrimit të shërbimeve profesionale shëndetësore, ashtu edhe në aspektin e sigurisë.
Këtë rekomandim, RrGGK e mbështet edhe në analizën që i bën Këshilli për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut (KMLDNj) kësaj situate, bazuar në mandatin që KMLDNj ka në monitoron e Qendrave të Ndalimit, Qendrave të Paraburgimit dhe atyre Korrektuese duke përfshirë edhe hapësirat ku ofrohen shërbime shëndetësore për personat e privuar nga liria.
Sipas KMLDNj-së, tashmë “ka mundësi shumë më të mira për të pasur një objekt spitalor brenda institucioneve korrektuese” dhe “kjo zgjidhje që nuk ofron zgjidhje, vetëm sa do ta bëjë më të ndërlikuar ofrimin e shërbimeve shëndetësore për të burgosurit, do t’i thellojë privilegjet e VIP të burgosurve, do të rrezikojë hapësirat e QKUK-së dhe stafit shëndetësorë, do të diskriminojë të burgosurit që kanë nevojë për shërim por që nuk kanë përkrahje, dhe do të kontribuojë në vazhdimësi në rrënimin e besueshmërisë të Shërbimit Korrektues të Kosovës, Ministrisë së Drejtësisë, Ministrisë së Shëndetësisë dhe QKUK-së.”