Me 16 shkurt 2011, në Hotel Prishtina, në kuadër të vizitës së grave lidere nga Shqipëria, u mbajt tryeza me temën “Gruaja dhe Politika”, organizuar nga Instituti Demokratik Kombëtar(NDI). Qëllimi i vizitës së delegacionit nga 23 gra përfaqësuese të partive politike, forumeve të grave, shoqërisë civile dhe media, ishte shkëmbimi i përvojave të grave në politikë, sfidat e tyre gjatë fushatave, strategji të reja për të realizuar fushata të suksesshme avokimi, krijimi i kontakteve të reja dhe zgjerimi i rrjetit të grave që do të shndërrohet në një rrjet rajonal me kalimin e kohës.
Në këtë tryezë pjesëmarrëset patën mundësinë të ndajnë mësime të rëndësishme me gratë e përfshira në politikë e organizata, si: rëndësia e tejkalimit të diferencave partiake për tu fokusuar në çështje të interesit reciprok, nevojën për tu lidhur së bashku që të kenë një zë më të fuqishëm në debatet politike dhe llojet e presioneve që mund të vijnë nga lideri i partisë etj.
Panelistet nga Kosova, Flora Brovina – Deputete në Kuvendin e Kosovës dhe Igballe Rogova – nga RrGGK, kërkuan fuqizimin e zërit të grave, demokratizimin e partive politike, diskutime më të forta për pozitën e gruas në politikë e shumë çështje të tjera. Panelistet nga Shqipëria, Mirela Roshi – nga Partia Socialiste, Irini Shehu – nga Partia Demokratike, dhe Edlira Çepani – nga OJF AS@N, diskutuan kryesisht temat e njejta, duke përmendur edhe mungesën e promovimit të grave në media si faktor kryesor të moszgjedhjes së grave në parlament.
Nuk munguan as diskutimet ndërmjet grave të tjera që ishin pjesëmarrëse, dhe dëshira për tu takuar prap në Shqipëri e Kosovë u shpreh haptas, duke e shikuar si një rrugë nëpërmjet së cilës mund t’ia dalin mbanë për t’i tejkaluar sfidat së bashku. Në fund të takimit, NDI–Shqipëri falendëroi Rrjetin e Grave të Kosovës për kontributin e dhënë në vitin 2008 për krijimin e Rrjetit mes grave politikane dhe shoqërisë civile në Shqipëri.