Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK), Ministria e Punës dhe Mirëqenies Sociale (MPMS) dhe Deutsche Gesellschaft für Internationale Zusammenarbeit (GIZ) GmbH, zyrtarisht publikuan raportin e ri dhe inovativ të titulluar Buxhetimi për mirëqenien sociale: Analizë e shpejtë gjinore për të njoftuar buxhetimin e përgjegjshëm gjinor në Ministrinë e Punës dhe Mirëqenies Sociale.
Raporti është hartuar nga RrGGK në bashkëpunim të ngushtë me MPMS dhe i përkrahur nga GIZ. Raporti përdorë një qasje të thjeshtë për buxhetimin e përgjegjshëm gjinor që përfshiu analizën e regjistrave të cilat mbahen nga departamentet dhe divizionet e MPMS-së nga viti 2011 deri në vitin 2014, dhe më pas shfrytëzuan gjetjet për të identifikuar treguesit dhe aktivitetet specifike që mund të integrohen në dokumentet buxhetore për periudhën 2015-2017.
“Prezantimi i këtij raporti ka qenë shumë i duhur dhe i nevojshëm për qytetarët dhe përfaqësuesit e institucioneve sepse njerëzit mendojnë që buxheti është diçka e paprekshme. Megjithatë, ky raport e ka bërë atë të prekshëm,” tha Dea Pallaska O’Shaughnessy, pjesëmarrëse në publikim. “I ka bërë të qartë ‘numrat’ e ndarë për burrat dhe gratë.”
Raporti shfaqë disa befasi rreth shpërndarjes së pensioneve, asistencës sociale, shërbimeve sociale, shërbimeve të punësimit dhe aftësimit profesional për gratë dhe burrat, vajzat dhe djemtë në Kosovë, duke përfshirë:
- Linja buxhetore e asistencës sociale është pa nevojë e kufizuar. Asistenca sociale sipas indeksit të shportës minimale të ushqimit për një familje mesatare të përbërë prej katër anëtarëve, dallimi financiarë në buxhet është rreth €24,000,000.
- Në vitin 2013, pagat e burrave punonjës në MPMS përbënin 56% të buxhetit, ndërkaq pagat e grave 44% të buxhetit. Burrat kanë tendencë të mbajnë pozita më të larta se gratë brenda Ministrisë, gjë që mund të ndikojë në kualitetin e shërbimeve të ofruara për gratë dhe burrat.
- Edhe pse gratë dhe burrat regjistrohen si punëkërkues pothuajse në shifra ekuivalente, më shumë burra (64%) siguruan vende pune, se sa gra (34%).
- Burrat përfituan 89% të pensionit bazë kontribut-pagues, ndërkaq gratë përfituan 11% në vitin 2013.
- MPMS nuk ka pasur fonde të mjaftueshme për ofrimin e shumicës së shërbimeve sociale në përputhje me kornizën ligjor.
Duke u bazuar në këto gjetje, raporti propozon mënyra konkrete për MPMS-në që të përmirësojë efikasitetin dhe efektivitetin e buxhetit të vet, të kontribuojë për barazinë gjinore dhe përmirësimin e mirëqenies sociale si prioritet qeveritar të deklaruar në Kornizën Afatmesme të Shpenzimeve.
“I përgëzoj organizatat përkatëse për raportin,” tha Dren Rexha, Zyrtar për Mbrojtje Sociane në Children’s Rights & Emergency Relief Organization, UNICEF. “Paraqet një pasqyrë gjithpërfshirëse të analizës buxhetore prej perspektivës gjinore. Ndoshta në të ardhmen duhet të bëhet edhe një hulumtim lidhur me dizajnimin e skemave të caktuara prej të cilave përfitojnë burrat dhe gratë, në mënyrë që të shohim nëse ato transfere sociale janë dizajnuar në atë mënyrë që burrat dhe gratë vërtetë të përfitojnë prej tyre.”
Qarkorja buxhetore egzistuese dhe amendamentet e propozuara për Ligjin e barazisë gjinore inkurajojnë përdorimin e buxhetimit të përgjegjshëm gjinor si pjesë e procesit buxhetor të Kosovës. Ky raport jep një shembull konkret të asaj se si mund të realizohet buxhetimi i përgjegjshëm gjinor brenda një ministrie.
Edhe pse raporti fokusohet në MPMS, ai mund të shërbejë si shembull i dobishëm për ministritë tjera, komunat dhe aktorët e interesuar rreth asaj se si konkretisht mund ta bëjnë buxhetimin e përgjithshëm gjinor brenda institucioneve të tyre.
“Unë mendoj që ky diskutim sot është një shembull i mirë lidhur me atë se si analiza e të dhënave bëhet me qëllim të fillimit të një diskutimi. Nuk paraqet një përfundim të tij,” konkludoi Lukas Fischer nga GIZ. Ai inkurajoi një diskutim të vazhdueshëm brenda MPMS dhe me palët tjera të interesuara, sa i përket të gjeturave dhe rekomandimeve të raportit.