Me 2 shkurt 2017 në Hotel Sirius, Rrjeti i Grupeve të Grave të Kosovës (RrGGK) publikoi zyrtarisht hulumtimin e parë gjithëpërfshirës për qasjen në kujdesin shëndetësor të grave dhe burrave në Kosovë.
Të pranishëm në këtë publikim ishin dr. Imet Rrahmani, Ministër i Shëndetësisë; Andrew Russell, Koordinator për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara dhe Përfaqësues i Përhershëm i Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara; dr. Visare Mujko-Nimani, Specialiste e Programit, Zyrtare, Fondi për Popullsi i Kombeve të Bashkuara; dhe dr. Sami Uka, Zyrtar, Organizata Botërore e Shëndetësisë; si dhe anëtarë të parlamentit, kuvendet komunale, organizatat e shoqërisë civile dhe zyrtarë të tjerë.
Igballe Rogova, drejtore ekzekutive e RrGGK-së në fjalën e saj të hapjes, duke shpjeguar kopertinën e këtij raporti të ri tha se "nëse nuk kemi kujdes shëndetësor për gratë dhe burrat, kjo është çështje e jetës dhe vdekjes". Ajo theksoi se “qasja në kujdesin shëndetësor cilësor është një çështje urgjente dhe e rëndësishme për të gjithë”.
Qeveria e Kosovës ka obligim ligjor për të mbrojtur dhe siguruar që të gjithë qytetarët në Kosovë të kenë të drejtën për shëndet. Institucionet po ashtu janë të obliguara të mbledhin dhe të publikojnë të dhëna të ndara sipas gjinisë në pajtim me Ligjin për Barazi Gjinore. Sidoqoftë, deri më sot, Kosovës i kanë munguar informata të rëndësishme sa i përket qasjes së burrave dhe grave në kujdes kualitativ shëndetësor.
Në strategjinë e RrGGK-së për 2015-2018, shëndetësia është identifikuar si një çështje e rëndësishme. Për këtë arsye, në vitin 2016, RrGGK ka ndërmarrë këtë hulumtim si një përpjekje për të adresuar këtë mungesë të informacionit. Hulumtimi është zhvilluar në bashkëpunim të ngushtë me Kolegjin e Dartmouth-it, Universitetin e Prishtinës dhe një ekipi prej më shumë se 30 vullnetarësh të dedikuar, metodat e përziera të hulumtimit përfshijnë anketa familjare të 1,309 kosovarëve dhe intervista me 110 të anketuar, duke përfshirë praktikues të ndryshëm të kujdesit shëndetësor në Kosovë.
Raporti nxjerrë të dhëna se deri në çfarë mase kosovarët i shfrytëzojnë shërbimet publike dhe private të kujdesit shëndetësor, hasin në pengesa të ndryshme financiare, gjeografike, etnike, kulturore dhe/apo të njohurisë për qasjen në kujdesin shëndetësor; dhe deri në çfarë mase janë të informuar për të drejtat e tyre si pacientë. Ky raport shqyrton dallimet që ndikojnë në qasjen në kujdesin shëndetësor bazuar në gjini, etnicitet dhe vendbanim. Rekomandimet fokusohen në fusha që kërkojnë hulumtime shtesë, mundësi të ngritjes së dijenisë dhe opcione të politikave.
"Ky është një raport shumë i rëndësishëm për shumë akterë", tha dr. Syla, "dhe në mënyrë specifike për qasjen e grave në kujdesin shëndetësor".
Disa nga të gjeturat kyçe të hulumtimit përfshijnë:
• 81% e kosovarëve e konsiderojnë shëndetin e tyre në gjendje të mirë apo shumë të mirë.
• Gratë e vlerësojnë gjendjen e shëndetit të tyre pak më keq se burrat.
• 23% e kosovarëve kanë raportuar se janë të limituar gjatë jetës së tyre të përditshme për shkak të arsyeve shëndetësore.
• 54% e të anketuarve nuk kanë pasur kurrë një kontroll të përgjithëm mjekësor.
• 26% e të anketuarve thanë që të paktën një herë gjatë vitit të kaluar duhet të ishin konsultuar me një mjek, por nuk e kanë bërë. Ngjashëm, 18% nuk janë këshilluar me një dentist kur kanë pasur nevojë.
• Shumë pak nga të anketuarit e kanë përdorur egzaminim për diagnostifikim të kancerit.
• Pengesat kyçe për qasjen në kujdes shëndetësor përfshijnë tendencën e njerëzve për të “pritur dhe parë” nëse shëndeti i tyre do të përmirësohej; pengesat financiare; njohuritë e pamjaftueshme për ku dhe cilat lloje të kujdesit shëndetësor ofrohen; stigmatizimi shoqëror, veçanërisht lidhur me qasjen në kujdesin shëndetësor mendor; dhe konfidencialiteti i pamjaftueshëm mes punëtorëve të kujdesit shëndetësor.
• Vetëm 6% e të anketuarve kanë sigurim shëndetësor privat, kurse gratë në zona rurale kanë edhe më pak qasje.
• Vetëm 35.3% e të anketuarve kanë pasur njohuri që Qendrat Mjekësore Familjare Kryesore ofrojnë shërbime të shëndetit riprodhues.
• Derisa 59.2% e të anketuarve kanë preferuar objektet e kujdesit shëndetësor publik, kryesisht për shkak të çmimit, 32.3% kanë preferuar klinikat private, kryesisht për kualitetin e shërbimeve të ofruara.
• 20.5% e të gjithë të anketuarve dhe 10.9% e grave kanë raportuar se përdorin metodat moderne kontraceptive.
E drejta për shëndet është një "e drejtë themelore e njerëzve", pohoi Ministri Rrahmani, i cili qe i pranishëm në të gjithë ngjarjen, duke iu përgjigjur pyetjeve dhe shqetësimeve të ngritura si nga raporti po ashtu edhe nga pjesëmarrësit. "Shëndeti gjithmonë kërkon më shumë punë", tha ai. "Ne gjithmonë kalojmë nga një problem në një tjetër". Ai theksoi angazhimin e Ministrisë për përmirësimin e cilësisë së kujdesit shëndetësor në Kosovë në bashkëpunim me akterë tjerë.
Në fund, dr. Visare Mujko-Nimani theksoi se shfrytëzimi i shërbimeve shëndetësore varet edhe nga qytetarët; ata nuk duhet të presin që shërbimet të shkojnë tek ata. "Ne duhet ti kërkojmë këto shërbime", u shpreh ajo. "Ne duhet të përqëndrohemi në parandalimin," shtoi ajo.
Hulumtimi dhe vetë raporti mbulojnë disa çështje të cilat nuk u diskutuan gjatë publikimit, theksoi Nicole Farnsworth, bashkë-autore dhe udhëheqëse e hulumtimit në RrGGK, duke përfshirë ato lidhur me konsumin e alkoolit, përdorimin e cigareve dhe perceptimeve të njerëzve për ambientin në Kosovë dhe si mund të ndikojë në shëndetin e tyre.
Z. Russell foli për rëndësinë e adresimit të çështjeve serioze mjedisore në Kosovë të cilat janë duke kontribuar në shëndetin e dobët. "Ne nuk kemi dëshirë të marrim pjesë në kaq shumë funerale këtu", tha ai, si një i huaj që jeton përkohësisht në Kosovë. "Na godet fakti se sa shumë kolegë tanë vdesin … shumë të rinjë, shumë lehtë". Mjedisi në Kosovë "në të vërtetë është duke na vrarë; Kosova A, Kosova B, Kosova C, automjetet dhe ajo çka përdorim për të ngrohur shtëpitë tona, e të gjitha këto kontribuojnë në këtë", tha ai.
Ky hulumtim është realizuar me mbështetjen dhe bashkëpunimin e Ministrisë së Shëndetësisë në Kosovë, Kolegjit Dartmouth, Universitetit të Prishtinës, Fondit për Popullsi i Kombeve të Bashkuara (UNFPA), Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), Programit për Zhvillim i Kombeve të Bashkuara (UNDP) dhe Vullnetarëve të KB-së.