Në kuadër të projektit “Ndërtimi i Paqes” i implementuar nga organizata themeluese “Medica Mondiale” me seli në Gjermani, “Medica Kosova” ka organizuar takimin njëjavor të projekteve simotra nga Liberia, Afganistani, dhe Republika Demokratike e Kongos.
Gjatë vizitës një-javore në Kosovë, përfaqësueset e këtyre vendeve së bashku me koleget nga Gjermania dhe përfaqësuesja e ISIS Europe (International Security Information Service) kanë realizuar një takim pune njëditor me Rrjetin e Grupeve të Grave të Kosovës në Prishtinë të përfaqësuar nga Drejtoresha Ekzekutive, znj. Igballe Rogova dhe Kryetarja e Bordit, znj. Beti Muharremi. Takimi kishte për qëllim njohjen me aktivistet e të drejtave të grave nga Afrika dhe Afganistani si dhe bartja e përvojës së RrGGK-së për themelimin dhe funksionimin e rrjetit në kohën e pas-luftës dhe përfshirja e të gjitha grupeve etnike në realizimin e aktiviteteve si rrjet. Mesazhi i Drejtoreshës së RrGGK-së drejtuar mysafireve nga Afrika dhe Afganistani kishte të bënte me forcën dhe vullnetin e grave për të ndërtuar rrjete të fuqishme duke mos lejuar ndërhyrjet politike të donatorëve dhe jashtë kufijve etnik dhe religjioz.
Rogova ka ofruar një shembull të një praktike më të mirë të punës së rrjetit në realizimin e fushatave dhe aktiviteteve avokuese, shembull ky që u mirëprit nga përfaqësueset e Liberisë, RD të Kongos dhe Afganistanit. Pjesëmarrëset e këtij takimi u inspiruan dhe inkurajuan nga përvojat e RrGGKsë, sidomos nga fillimi i themelimit dhe sfidat e shumta gjatë punës së rrjetit.