RrGGK mbajti mbledhjen e saj të parë të bordit për vitin 2013 më 15 Janar, gjatë së cilës anëtaret e bordit zgjodhën Kryetaren e re të Bordit: Ariana Qosaj Mustafa. Elmaze Gashi u zgjodh Zëvendës Kryetare. Ato do të shërbejnë në një mandat dy vjeçarë.
Anëtaret e Bordit poashtu diskutuan fillimin e pagesave të anëtarësisë për anëtaret e rrjetit me qëllim që të përkrahen iniciativat e ndryshme të RrGGK, aktivitetet e anëtareve dhe shërbimet e ofruara për anëtaret. Bordi vendosi që RrGGK mund të fillojë të mbledhë pagesat e anëtarësisë në shumë prej 20€ në vit.
Pas kësaj, Nicole Farnsworth, Menaxhere Programi në RrGGK, prezantoi ndryshimet e bëra në Rregulloren e Punës në linjë me Ligjin e Punës së Kosovës.
Anëtaret e Bordit poashtu diskutuan edhe rregulloren e konfliktit të interesit të RrGGK-së. Ato u pajtuan që në rast se RrGGK krijon partneritet me organizata të udhëhequra nga anëtaret e bordit apo nëse shfaqen fusha të tjera potenciale të konfliktit të interesit (siç përcaktohet nga kjo rregullore), këto çështje duhet të diskutohen dhe aprovohen nga Bordi. Bazuar në këtë vendim, Elmaze Gashi prezantoi projektin në të cilin Alter Habitus, një organizatë që ajo udhëheqë, planifikon të bashkëpunojë me RrGGK-në. Ai përfshinë hulumtimin e titulluar “Ku janë Paratë për të Drejtat Njerëzore të Grave”. Pasi që ky hulumtim do të kontribuojë në Strategjinë e RrGGK-së, Bordi vendosi që RrGGK dhe Alter Habitus mund të vazhdojnë tutje me këtë bashkëpunim.
Në fund, Bordi diskutoi dhe u pajtua për hapjen e një llogarie të re bankare për fondet e qëndrueshme dhe të pakufizuara. Drejtë qëndrueshmërisë së RrGGK-së, llogaria do të mbajë burime financiare që nuk janë të përkrahuara nga donatorët. RrGGK do të ngrisë fonde për këtë llogari përmes pagesave të anëtarësimit, ngjarjeve për ngritjen e fondeve dhe donatorëve individual (p.sh. në Shtetet e Bashkuara të Amerikes përmes East-West Management Institute).
Për më shumë informata, kontaktoni info@womensnetwork.org.