Më 22 nëntor, Parlamenti Evropian (PE), në bashkëpunim me fondacionin “Kvinna till Kvinna”, organizoi një debat në Bruksel, ku pjesëmarrësit në panel diskutuan lidhur me temën: “A po jep rezultate procesi i anëtarësimit në BE për gratë në vendet e Ballkanit Perëndimor?” Anëtarët e Parlamentit Evropian, Jozo Radoš, Aleanca e Liberalëve dhe Demokratëve për Evropën (ALDE), Julie Ward, Socialistët dhe Demokratët (S&D) dhe Eduard Kukan Partia Popullore Evropiane (EPP) bashkorganizuan këtë eveniment. Krahas këtyre deputetëve, në panel morën pjesë edhe Liselotte Isaksson-i, udhëheqëse e Sektorit të Shoqërisë Civile dhe Përfshirjes në Drejtorinë e Përgjithshme të Fqinjësisë së Mirë dhe të Negociatave për Zgjerim (DPFMNZ); Morten Jung-u, këshilltar i lartë për Ballkanin Perëndimor në DPFMNZ; aktivistë të të drejtave të grave nga rajoni, duke përfshirë edhe Nicole Farnsworth-in, menaxhere projektesh e RRGK-së dhe udhëheqëse e hulumtimit.
Në debatin gjysmë-ditor morën pjesë tri panele që u përqendruan te: I) integrimi i çështjeve gjinore dhe të drejtave të grave në procesin e anëtarësimit në BE: shembuj nga progres raportet për vendet; II) reformat sociale, duke përfshirë edhe pushimin e lehonisë: kush përfiton?; dhe financimi i BE-së për organizatat e grave: dhe III) cilat janë sfidat dhe mundësitë?
Duke u mbështetur në gjetjet e hulumtimit më të fundit, në vërejtjet e saj, Nicole theksoi rolin e rëndësishëm që kanë organizatat e të drejtave të grave në bërjen e ndryshimeve të qëndrueshme brenda komuniteteve të tyre. Më tej, ajo vuri në dukje se Plani i Veprimit Gjinor II i BE-së e njeh këtë rol dhe, në këtë mënyrë, e nxit BE-në të përkrahë organizatat e të drejtave të grave. Pavarësisht treguesve të qartë të Planit të Veprimit Gjinor II, që kanë të bëjnë përkatësisht me financimin për gratë e vajzat dhe për mbrojtësit e të drejtave të njeriut të grave, sistemet elektronike aktuale të BE-së nuk i mundësojnë kësaj të fundit të gjurmojë në mënyrë të mjaftueshme këto shpenzime. Kësisoj, një prej rekomandimeve ishte që sistemi i ri elektronik i BE-së, që del së shpejti, për menaxhimin e të dhënave të përfshijë edhe tregues që kanë të bëjnë me financimin për gratë dhe vajzat dhe për organizatat e të drejtave të grave.
Gjithashtu, Nicole foli për nevojat e organizatave të të drejtave të grave për fonde dhe lloje të ndryshme modalitetesh financimi për të komunikuar/mbërritur te organizata të ndryshme. Ajo sugjeroi që BE-ja të përdorë një “përzierje të shëndetshme” të modaliteteve të financimit, ku të përfshihen programet më afatgjatë e më të mëdhenj të nëndhënies së granteve në funksion të përmirësimit të komunikimit/mbërritjes te organizatat e mesme dhe më të vogla (p.sh. mbështetur në modelin pozitiv të Fondit të Grave të Kosovës); grante për veprim, përmes të cilave adresohen pabarazitë gjinore, të identifikuara në raportet e progresit dhe analizën gjinore të BE-së për vendin; grante operative, si Marrëveshje Kuadër shumëvjeçare të Partneritetit, për të përkrahur më mirë nismat strategjike e afatgjata të organizatave; dhe kontraktimi i ekspertëve lokalë të çështjeve gjinore për të përkrahur BE-në në realizimin e qëllimeve të saj për zbatimin e Planit të Veprimit Gjinor II. Për më shumë informacione lidhur me prezantimin e Nikolit, klikoni këtu: http://www.womensnetwork.org/documents/20171201123609371.pdf
Gjatë udhëtimit ë saj në Bruksel, Nicole mori pjesë edhe në disa takime të tjera të rëndësishme për avokim. Së bashku me përfaqësues të fondacionit “Kvinna till Kvinna” dhe aktivistë të tjerë të të drejtave të grave nga rajoni, ajo u takua edhe me përfaqësinë suedeze në Bruksel, për të diskutuar mundësitë për bashkëpunim në drejtim të realizimit të qëllimeve të Politikës së Huaj Feministe të Suedisë. E shoqëruar nga bashkaktivistë, Nicole u takua edhe me Liselotte Isaksson-in për të diskutuar më tej për nevojat dhe mundësitë e ndërlidhura me organizatat e të drejtave të grave; Mariam Wehbe-Herrera-n, asistente e Politikave për Barazinë Gjinore pranë DPFMNZ-së, për të bashkëpunuar në drejtim të zbatimit të Planit të Veprimit Gjinor IItë BE-së; deputeten Clare Moody, për të diskutuar mundësitë që PE-ja të heqë mënjanë fonde për organizatat e grave; Gaby Hagmüller-in dhe Sonja Nita-in nga Qendra e Ekspertizës Tematike për Përkrahjen e Shoqërisë Civile; dhe Julia Mueller-Hellmann-in, zyrtare e Politikave Gjyqësore dhe të Drejtave të Njeriut, dhe Farina Ahäuser-it, asistente e zyrtarit për politika, Zyra për Politika, nga Njësia për Kosovën pranë DPFMNZ-së, për të diskutuar çështjet shqetësuese në Kosovë në kuadrin e raportit të ardhshëm të progresit.
Ky udhëtim u përkrah nga Parlamenti Evropian dhe nga Fondacioni “Kvinna till Kvinna”.