RrGK dënon shqiptimin e masës së arrestit shtëpiak ndaj të dyshuarit Q.A, e konsideron atë të pamjaftueshëm 

Më 16 gusht, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përmes një kumtese për media ka shprehur indinjatë të thellë për masën skandaloze të shqiptuar nga Gjykata Themelore në Pejë – Departamenti për Krime të Rënda kundrejt të dyshuarit  Q.A për veprën penale trafikim me njerëz, e kryer në vitin 2012 në komunën e Istogut. Rasti në fjalë ka të bëjë me një dyshim të trafikimit me qenie njerëzore, mbajtje në skllavëri dhe dhunim.  

RrGK insiston që masa që do të duhej të ishte shqiptuar menjëherë ka qenë paraburgimi, duke pasur parasysh se i pandehuri Q.A ka refuzuar disa herë të marrë pjesë në shqyrtime gjyqësore me arsyetimin se gjendej jashtë vendit. Ai është sjellë në procedurë gjyqësore me anë të lëshimit të letër rreshtimit vendor nga autoritetet kosovare.  

Tutje, RrGK shpreh shqetësimin se një kulturë e tillë e trajtimit jo të denjë të rasteve të dyshuara të trafikimit njerëzor është një inkurajim i mëtutjeshëm për autorët e këtyre veprave penale. Kjo sepse ata nuk po marrin ndëshkimin meritor në përputhshmëri me masat e parapara ligjore. Andaj, apelojmë që gjykata e Apelit të shpallë masën e paraburgimit, deri në shqyrtimin final dhe zbardhjen e rastit.  

Lexoni KËTU kumtesën e plotë.