RrGK dhe ADA mbajnë punëtori për integrimin e perspektivës gjinore në dokumente të programeve

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) me datë 3 prill mbajti në Prishtinë punëtorinë interaktive një-ditore për të mbështetur partnerët e Agjencisë Austriake për Zhvillim (ADA) për të reflektuar më mirë perspektivën gjinore në programet dhe dokumentet e tyre, veçanërisht duke përfshirë udhëzime të përshtatura në adaptimin e treguesve në përputhje me Planin e Veprimit Gjinor II (PVGj) dhe Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm (OZhQ) lidhur me barazinë gjinore.

Punëtoria mblodhi 37 pjesëmarrës dhe filloi me shtjellimin e koncepteve kryesore të barazisë gjinore.

Falë iniciativës ekzistuese të mbështetur nga ADA, RrGK ka pasur mundësinë që para se të mbahej punëtoria t’i rishikonte iniciativat e partnerëve të tashëm të ADA-s, raportet dhe komentet e bëra lidhur me to nga Eksperti Gjinor i ADA-s, në mënyrë që të identifikohen nevojat që duhet të adresohen përmes punëtorisë.

Punëtoria u hap nga Gunther Zimmer, Këshilltar dhe Drejtor i Zyrës Koordinuese për Bashkëpunim Teknik, Ambasada Austriake në Prishtinëdhe Selma Cekic-Dincsoy, Pikë Fokale Gjinore, Zyra e BE-së në Kosovë.

“Dua ta falenderoj RrGK-në për organizimin e kësaj punëtorie shumë të nevojshme, me informata të dobishme për organizatat e pranishme”, tha Zimmer.

Nicole Farnsworth, Drejtore e Programit dhe Udhëheqëse e Hulumtimit në RrGK, shtjelloi konceptet dhe rolet gjinore, siç ato përceptohen nga shoqëria kosovare dhe siç janë nga aspekti sociologjik dhe biologjik.

Ndërsa David Svab, Specialist i Monitorimit & Vlerësimit të Programit dhe Projektit, nga Programi Zhvillimor i Kombeve të Bashkuara (UNDP), bëri një përmbledhje të qasjes “Leave no one behind”, (Askush të mos mbetet prapa).

Ai paraqiti masat konkrete të propozuara nga UNDP për qeveritë dhe akterët kryesorë të shteteve anëtare të Kombeve të Bashkuara për të mos lënë askënd mbrapa në zbatimin e qëllimeve për zhvillim të qëndrueshëm.

Martin Schaller, Atashe i Ambasadës Austriake në Prishtinë, poashtu ndau përvojën e vendit të tij në raportimin dhe zbatimin e objektivave të PVGj II të Bashkimit Evropian.

Nicole Farnsworth më tutje prezantoi historikun, indikatorët dhe objektivat e PVGj II.

Në pjesën e dytë të punëtorisë, ajo shpjegoi konkretisht mënyrat e kryerjes së analizave gjinore paraprakisht, në mënyrë që të përfshihet perspektiva gjinore në projekte dhe programe të organizatave pjesëmarrëse. Punëtoria u pasua me diskutim në grupe punuese, të cilat u ndanë për të analizuar kornizat logjike të projekteve të tyre dhe për të identifikuar hapësirat potenciale në të cilat mund të shtohen indikatorë të PVGj II apo OZhQ-ve.

Në përmbylljen e kësaj punëtorie, pjesëmarrësit shprehën mirënjohje të thellë për njohuritë e fituara.

Zimmer dhe Arsim Aziri, Udhëheqës i Administratës, ADA vlerësuan punën e kahmotshme të RrGK-së në ngritjen e vetëdijes shoqërore dhe institucionale për barazi gjinore dhe në jetësimin konkret të objektivave të RrGK për fuqizimin e grave dhe vajzave në Kosovë.

PVGj II paraqet vazhdimësi të objektivave të cilat shtetet duhet të ndërmarrin përsipër për realizimin e barazisë gjinore dhe fuqizimin e grave. Ky dokument është adaptuar më 21 Shtator, 2015 nga Komisioni Evropian (KE) dhe Shërbimi i Veprimit të Jashtëm Evropian (ShVJE). Të gjithë akterët kryesorë të BE-së kanë për detyrë të raportojnë sistematikisht për ecurinë e zbatimit të objektivave të dala nga ky dokument që kanë të bëjnë me “ndryshimin institucional kulturor”.

Kjo punëtori e mbajtur nga RrGK u mbështet nga Agjensioni Austriak për Zhvillim (ADA).