RrGK dhe EWLA organizojnë punëtori rreth kornizës ligjore të BE-së për barazi gjinore

Me 5-6 dhjetor, Rrjeti i Grave të Kosovës(RrGK) dhe Shoqata Evropiane e Grave Juriste(EWLA) për dy ditë me radhë kanë organizuar punëtori mbi “Kornizën ligjore të BE-së për barazi gjinore “.

Juristet nga EWLA, Katharine Miller dhe Sylvia Cleff Le Divellec kanë shpjeguar para anëtareve të RrGK-së dhe Lobit për Barazi Gjinore instrumentet kryesore ligjore të BE-së lidhur me barazinë gjinore si dhe Strategjinë e Barazisë Gjinore në Agjendën e Komisionit Evropian për periudhën 2020-2024.

Përfaqësueset e organizatave anëtare të RrGK-së e vlerësuan organizimin e punëtorisë si mundësi për të shkëmbyer përvojat. Ato diskutuan rreth asaj se si të avokojnë për ndryshim dhe rreth procesit të anëtarësimit në BE, veçanërisht nga perspektiva gjinore. Tutje, zyrtaret komunale ngritën çështjen e zbatimit të politikave dhe reformave në nivel lokal.

Qëllimi i punëtorive të tilla është që të ngrisë njohuritë e grave mbi kornizën ligjore të BE-së lidhur me barazinë gjinore e po ashtu të përmirësojë kapacitetet dhe angazhimin e grave dhe vajzave që ato të mund të përfshihen në mënyrë aktive në procesin e integrimit të Kosovës në BE.

RrGK e konsideron jashtëzakonisht të rëndësishme përfshirjen e grave dhe vajzave në këtë proces në mënyrë që të përfshihen të drejtat dhe interesat e tyre. Është e domosdoshme që të bëhet informimi sa më i mirë i grave dhe vajzave lidhur me këtë proces i cili pastaj mund të kontribuojë në mbështetjen dhe zbatimin e reformave të nevojshme.

Këto punëtori janë mbajtur në kuadër të nismës “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, mbështetur nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë.