RrGK dhe Ministria e Arsimit nënshkruajnë memorandum për rishikimin e teksteve shkollore nga perspektiva gjinore 

Më 10 dhjetor, Drejtorja Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), Igballe Rogova dhe Ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit (MAShTI), Arbërie Nagavci kanë nënshkruar memorandum bashkëpunimi për rishikimin e teksteve shkollore nga perspektiva gjinore. 

Ministrja Nagavci në fjalën e saj përshëndetëse uroi RrGK-në për punën e palodhshme që bënë tash e sa vite në mbrojtje të të drejtave të grave dhe vajzave në Kosovë. Ajo tutje shprehi gatishmëri për bashkëpunim lidhur me rishikimin e teksteve shkollore nga perspektiva gjinore. 

Ky bashkëpunim u cilësua si shumë i rëndësishëm edhe nga Rogova, e cila tha se nga ky memorandum do të përfitojnë gjeneratat e reja. 

Përmes këtij bashkëpunimi, RrGK dhe Ministria e Arsimit do të punojnë drejt kauzës së përbashkët për edukim cilësor, gjithëpërfshirës dhe të barabartë, i cili do të do të jetësohet përmes këtyre pikave kyçe: 

  • Promovimit të qasjes edukative të barabartë e me ndjeshmëri gjinore që në fëmijërinë e hershme; 
  • Përmirësimit të vazhdueshëm të kurrikulave dhe teksteve shkollore nga perspektiva gjinore në arsim, me theks të veçantë në arsimin parauniversitar; dhe 
  • Avokimit mbi barazinë gjinore te komuniteti i gjerë i edukimit e arsimit në Kosovë përfshirë fëmijët/nxënësit, edukatorët, mësimdhënësit, stafin administrativ të institucioneve të arsimit dhe prindërit/familjet. 

Në këtë takim, nga RrGK të pranishme ishin edhe Menaxherja Kundër Dhunës me Bazë Gjinore, Adelina Berisha dhe Asistentja e Projektit në Kuadër të Fondit të Grave të Kosovës, Gjylymser Nallbani kurse nga Ministria e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Edona Maloku Bërdyna, Zëvendës Ministre.  

Ky memorandum u nënshkrua në vazhdën e përpjekjeve të RrGK-së për përmirësimin e qasjes në edukim cilësor dhe të ndjeshëm gjinor, mbështetur nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), përmes nismës së RrGK-së “Avancimi i Mëtejshëm i të Drejtave të Grave në Kosovë II”, bashkë-financuar nga Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida), përmes Ambasadës së Suedisë në Prishtinë. 

Përmes kësaj nisme, RrGK së fundi ka mbështetur edhe disa organizata anëtare për realizimin e nismave për përmirësimin e qasjes në edukim cilësor dhe të ndjeshëm gjinor