RrGK kontribuon në diskutimin e OSBE-së për përfshirjen e perspektivës gjinore në konflikte

Më 19 maj Fondacioni Kvinna till Kvinna në bashkëpunim me Kryesinë Suedeze të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropa (OSBE) dhe bashkë-sponsorizuar nga Delegacioni i Përhershëm Finlandez në OSBE, organizuan online ngjarjen me temën “Si mund të punojë OSBE-ja për paqe gjithëpërfshirëse dhe integim të perspektivës gjinore gjatë konflikteve?”,

Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) ishte pjesë e panelistëve për të diskutuar sfidat dhe mundësitë që kishin për të kontribuar në ndërtimin e paqes së qëndrueshme në shtetet e tyre.

Në fillim të diskutimit, Rogova vuri theksi te rëndësia jetike që ka përfshirja e organizatave lokale për të drejtat e grave në proceset e paqes.

“Organizatat lokale për të drejtat e grave dhe aktivistët, kanë si njohuritë po ashtu edhe besimin e komuniteteve të tyre. Nuk mund të parandalojmë asnjë konflikt e as të ndërtojmë paqe gjithëpërfshirëse pa përfshirjen e tyre në çdo fazë të konfliktit”, tha Rogova.

“Nuk ka paqe pa drejtësi”, shtoi tutje ajo, teksa kërkoi zbatimin e Rezolutës së Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (RKSKB) 1325  për Gratë, Paqen dhe Sigurinë.

Tutje, ajo ka ftuar të gjithë panelistët që të lexojnë Fakte dhe Fabule, si përmbledhje e rrëfimeve rreth zbatimit të kësaj rezolutë që nga vitit 2000.

Kurse, Petra Tötterman Andorff, Sekretare Gjenerale në Kvinna till Kvinna, gjithashtu nënvizoi rëndësinë e përfshirjes së grupeve të grave dhe të nevojave të grave në të gjitha proceset e zgjidhjes së konflikteve.

“Përjashtimi i grave nga proceset e paqes dhe tranzicionit do të thotë se perspektiva dhe prioritetet e grave nuk janë marrë parasysh. Pjesëmarrja e grave ka nevojë për përfshirjen e organizatave lokale për mbrojtjen e të drejtave të grave gjatë fazave të konfliktit”.

Pjesë e panelit diskutues ishin edhe: Ekaterine Gamakharia, Head of Tbilisi Office, Cultural Humanitarian Fund “Sukhumi”, Nina Potarskaya, Koordinatore Nacionale, Ëomen’s International League for Peace and Freedom, si dhe Liliana Palihovici, OSCE Chairperson-in-Office’s Special Representative on Gender.

Të gjithë panelistët u pajtuan për të dhënë një mesazh të qartë- organizatat lokale për të drejtat e grave si dhe aktivistet lokale kanë besimin e komuniteteve të tyre, dhe nuk mund të ketë paqe përmbajtësore e as gjithëpërfshirëse pa përfshirjen e tyre.

Kjo ngjarje u organizua nga OSBE, si pjesë e seminarit online mbi ciklet e konfliktit të mbajtur me delegacionet dhe partnerët e OSBE-së, të mbajtura me 17-19 maj, me qëllim që të informohen akterët lidhur me atë se si mund të përmirësohen mekanizmat e OSBE-së dhe të organizatave të tjerave për të siguruar përfshirje më të madhe të organizatave për të drejtat e grave gjatë fazave të kolnfikteve.

KËTU mund të lexoni më shumë rreth kësaj ngjarje (Vetëm në gjuhën angleze).