RrGK kontribuon në diskutimin mbi progresin dhe sfidat në njohjen e statusit të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë  

Organizatat e grave, institucionet kosovare, përfaqësues të subjekteve politike, si dhe përfaqësues të organizatave ndërkombëtare e korit diplomatik diskutuan së bashku rreth procesit të verifikimit dhe njohjes së statusit të  mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë, si dhe për punën e bërë nga komisioni i themeluar për të trajtuar këtë çështje. 

Ky debat u zhvillua në konferencëProgresi dhe Sfidat, të organizuar më 15 nëntor në Prishtinë, nga Komisioni Qeveritar për Njohjen dhe Verifikimin e Statusit të Personave të Dhunuar gjatë Luftës Çlirimtare të Kosovës, në bashkëpunim me Departamentin e Drejtësisë së Ambasadës së SHBA-ve në Kosovë. 

Kjo konferencë u organizua në kuadër të shënimit të 19- vjetorit të Rezolutës 1325 të OKB-së për Gratë, Paqen dhe Sigurinë. Praktikat e Kosovës, sfidat e këtij procesi, rëndësia e bashkëpunimit institucional  si dhe luftimi i stigmës ishin pjesë e diskutimit të zhvilluar përmes dy panele. Gjatë diskutimeve Kosova u përmend si shembull pozitiv në mbarë botën për adresimin e kësaj teme, megjithatë u theksua edhe nevoja që të ketë bashkëpunim dhe progres të vazhdueshëm.  

Shifrat  e rasteve të trajtuara nga Komisioni janë mjaft shpresëdhënëse. 1143 aplikacione kanë arritur në komision, vendime janë marrë për 730 sosh, kurse numri i shqyrtimeve është mbi 2200, kjo pasi numri i shqyrtimeve për lëndë është deri në tri herë.  

Ky komision për çdo ditë pune ka marrë vendime për 1.53 raste, ndërsa ka shqyrtuar 4.62 raste në ditë. Për 22 muaj të funksionimit komisioni ka marrë vendime për 18.33 raste në muaj.  

Këto shifra i bëri të ditura për publikun, Shpend Haxhibeqiri, psikiatër, anëtar i Komisionit Qeveritar. 

Ndërsa, kryetarja e këtij komisioni, Minire Begaj-Balaj, tha se procesi i njohjes është proces i vështirë, por edhe bëri thirrje që të gjitha të mbijetuarat të aplikojnë për njohje të statusit. 

“Trajtimi i dhunës viteve të fundit ka marrë vëmendje globale, komisioni ka filluar më 2018 dhe është duke kryer punën me seriozitet. Procesi zhvillohet me konfidencialitet te plotë, procesi po vazhdon, prej fillimit secili zyrtar janë duke kryer punën e tyre. Përpjekjet e Kosovës për këtë janë bërë model në botë”, tha ajo.    

Tutje, Alison Kosnett, nga Ambasada Amerikane fjalimin e saj ua ka kushtuar të mbijetuarave të dhunës seksuale. 

“Është përgjegjësi e secilit, jo vetëm e Komisionit, të sigurojmë që të mbijetuarat të trajtohen me dinjitet dhe respekt. Çdo kush ka përgjegjësi që të mbijetuarat të inkurajohen që të kërkojnë ndihmën që u nevojitet, që të marrin pjesë në shoqëri. Ju ftoj të rezistoni stigmën, në të gjitha format e saj”, ishin fjalët e Kosnett 

Igballe Rogova, Drejtore Ekzekutive e Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK), pjesë e Panelit të Parë të titulluar: Përparimi i bërë në procesin e verifikimit dhe njohjes së statusit të personave të dhunuar gjatë luftës. Praktikat dhe standardet e ndërtuara në Kosovë, sfidat e procesit të verifikimit dhe njohjes.

“Viti 2012 ishte viti kur gratë kërkuan të njihen si viktima civile të luftës. Këtë vit filloi zbatimi i ligjit për të drejtat e viktimave civile të luftës, që nga protestat e deri më sot kemi pasur shumë sfida të cilat i kaluam bashkërisht. Sot dua të flas me pozitivitet që të depërtoj te të mbijetuarat. Aplikimi për fitimin e statusit është një sfidë tjetër, disa thonin ku janë 20 mijë raste?. Ne nuk mund të presim që të gjitha do të aplikojnë, jo të gjitha kanë mundësi që të aplikojnë dhe ne duhet t’i respektojmë vendimet e tyre, e assesi t’u bëjmë presion”, u shpreh Rogova. 

Punën e komisionit, i cili është i pari i këtij lloji, e ka vlerësuar edhe Vlora Tuzi-Nushi, Drejtore e UN Women-Kosovë. 

“Ky komision u vlerësua si më i mirë se ai i Bosnjë&Hercegovinës dhe ai i Kroacisë. Kroacia ka kërkuar ekspertizë nga ne, edhe pse e ka një ushtri të tërë në këtë komision. Kroacia interviston të gjitha palët, kurse Kosova interviston palët vetëm në rast kur është e nevojshme”, tha Tuzi-Nushi 

Nga të pranishmit u vlerësua puna e Komisionit, gjithashtu u shpreh gatishmëri e akterëve për të mbështetur Komisionin Qeveritar për tu përballuar sfidat e shumtaU bë gjithashtu thirrje që Komisionit ti ndahet buxheti i nevojshëm dhe plotësimi i kushteve për Komisionin dhe Sekretarinë.  

Ky komision, për themelimin e së cilit kanë bërë thirrje organizatat e grave, bart në vete njohjen dhe mbështetjen institucionale të përjetimeve të të mbijetuarave të dhunës seksuale gjatë luftës, andaj edhe roli i tij për trajtimin e dinjitetshëm të kësaj kategorie mbetet jetik dhe i pazëvendësueshëm.  

RrGK gjatë një vizite që i ka bërë këtij komisioni në qershor të këtij viti, ka shprehur përkrahjen e pakusht për punën transparente dhe të palodhshme të tij.   

LEXO EDHE:  RrGK bën thirrje për njohje dhe respekt për të mbijetuarat e dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë.