RrGK kundër kthimit në rigjykim të rastit të vrasësit Pjetër Nrecaj 

Më 24 qershor Gjykata Supreme mori vendim për kthim në rigjykim të lëndës ndaj Pjetër Nrecaj, i cili vuan dënim të përjetshëm për vrasjen e gruas së tij, Valbona-Marku Nrecaj dhe vajzës së tyre 9 vjeçare, në gusht të vitit 2018. 

Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka reaguar menjëherë duke kundërshtuar këtë vendim përmes një kumtese për media. 

RrGK ka kujtuar për publikun se Pjetër Nrecaj me paramendim, kishte privuar nga jeta me armë zjarri bashkëshorten e tij Valbona Marku-Nrecaj, si dhe vajzën e tyre. Madje, ai para se të realizonte vrasjen e paramenduar, kishte dërguar porosi telefonike kërcënuese ndaj tashmë të ndjerës, pas së cilave edhe kishte realizuar planin për ta vrarë atë. Ndaj të njejtit, ishte shqiptuar edhe padia për mbajtje në pronësi, kontroll, dhe posedim të paautorizuar të armëve.  

RrGK konsideron se kthimi në rigjykim për këto vepra ndikon drejtpërsëdrejti në humbjen e besimit në sistemin e drejtësisë për viktimat potenciale të dhunës në familje dhe familjarët e tyre.  

Prandaj, kërkojmë nga Gjykata Supreme të mos e ndryshojë vendimin e Gjykatës së Apelit, marrë parasysh se të gjitha argumentet ligjore, por edhe vlerat sociale e morale janë në pajtim me dënimin me burg të përjetshëm për vrasjen e dyfishtë. 

Lexo KËTU kumtesën e plotë. 

KËTU mund të gjeni qëndrimin e RrGK-së kur Nrecaj ishte dënuar me burg të përjetshëm në mars të këtij viti.