RrGK lanson raportin: Diskriminimi me Bazë Gjinore dhe Punësimi në Kosovë 

Më 11 prill Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) në bashkëpunim të ngushtë me Bashkimin Evropian (BE), Agjencinë për Barazi Gjinore dhe Institucionin e Avokatit të Popullit lansoi raportin hulumtues “Diskriminimi me Bazë Gjinore dhe Punësimi në Kosovë”.  

Njëkohësisht përmes kësaj ngjarjeje u lansua edhe nisma rajonale për trajtimin e diskriminimit me bazë gjinore dhe punësimit në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor, bashkëfinancuar nga BE dhe Suedia/Sida dhe të udhëhequr nga RrGK. 

“Barazia gjinore është një vlerë thelbësore e BE-së. Unë e inkurajoj fuqimisht Qeverinë që të adresojë rekomandimet e bëra në këtë raport. Ata duhet të harmonizojnë ligjet me Ligjet e BE-së (Acquis Communautaire), duke përfshirë Ligjin për Barazi Gjinore”, tha Luigi Brusa, Shef i Seksionit të Bashkëpunimit, Zyra e BE-së në Kosovë. 

Edi Gusia, Kryeshefe Ekzekutive e Agjencisë për Barazi Gjinore, Zyra e Kryeministrit duke vlerësuar raportin ka treguar ndikimin e tij në punën e institucioneve. 

“Ky hulumtim na sjell në vëmendje shumë çështje të rëndësishme të cilat ndikojnë edhe punën tonë në baza ditore, të cilat janë: mbledhja e statistikave të ndara sipas gjinisë, e cila e kryer në mënyrë jo të rregullt dhe me metodologji të paunifikuar i dëmton proceset e zbatimit të ligjit”, u shpreh ajo. 

Ndërkaq, Edona Hajrullahu, Zëvendëse e Avokatit të Popullit ndër të tjera u shpreh se “Përderisa Kushtetuta dhe kuadri ligjor bazohen në standardet më të mira ndërkombëtare, duke përfshirë vlerat dhe parimet e trajtimit të barabartë midis gjinive, grave dhe vajzave në Kosovë, ato vazhdojnë të jetojnë mes dy realiteteve: ligjore dhe faktike.” 

Lexo KËTU kumtesën që RrGK ka lëshuar me këtë rast, ku përfshihen edhe gjetjet kryesore të këtij hulumtimi.  

Ndërkaq, rekomandimet kryesore, të paraqitura nga dy bashkë-autore të RrGK-së, Nicole Farnsworth dhe Iliriana Banjska, përfshijnë:  

  • Rëndësia e ndryshimit të Ligjit të Punës, Ligjit për Barazi Gjinore dhe Ligjit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për të zvogëluar mbivendosjen, qartësimin e procedurave dhe qartësimin e sanksioneve për diskriminimin gjinor;
  • Nevoja për të gjitha institucionet relevante për të mbledhur dhe mbajtur të dhëna më të mira të ndara sipas gjinisë së paditësve dhe të pandehurve në pajtim me Ligjin për Barazi Gjinore, si dhe me nenet e caktuara të shkelura;
  • Nevoja për më shumë inspektorë të punës, veçanërisht gra, të cilët janë trajnuar për njohjen dhe trajtimin e diskriminimit gjinor në punë;
  • Nevoja për bashkëpunim ndërinstitucional ndërmjet institucioneve relevante dhe shoqërisë civile, duke përfshirë sindikatat, në ngritjen e vetëdijes së grave dhe burrave lidhur me atë që përbën diskriminim të bazuar në gjini dhe si ta raportojë atë; dhe përkrahjen e personave që kanë përjetuar një diskriminim të tillë në kërkimin e drejtësisë.

 Kjo iniciativë është bashkëfinancuar nga Bashkimi Evropian dhe Suedia/Sida. 

Raporte që trajtojnë këtë çështje janë lansuar edhe në Maqedoni të Veriut, Serbi, dhe Mal të Zi, kurse lansime priten edhe në Shqipëri e Bosnjë dhe Hercegovinë, si pjesë e një nisme rajonale për të adresuar diskriminim me bazë gjinore dhe punësimin në gjashtë vende të Ballkanit Perëndimor.