RrGK lanson raportin hulumtues mbi Buxhetimin për Përmirësimin e Barazisë Gjinore në Programet për Diasporën

 Gratë, burrat, vajzat dhe djemtë shpeshherë kanë nevoja dhe prioritete të ndryshme. Politikat dhe programet për diasporën duhet t’i marrin parasysh këto dallime. Buxhetimi i përgjegjshëm gjinor (BPGJ) përfshin integrimin e çështjeve gjinore në të gjitha fazat e planifikimit, ekzekutimit, monitorimit dhe vlerësimit të buxheteve shtetërore. 
Në Kosovë, të gjitha organizatat buxhetore detyrohen me ligj që të kryejnë një BPGJ, për të çuar përpara barazinë gjinore dhe për të përmbushur më mirë nevojat e qytetarëve të ndryshëm. Kryerja e analizës gjinore është hapi i parë thelbësor për sigurimin e informatave për BPGJ-në. 
      Për këtë arsye, Ministria e Diasporës (MD) dhe Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) kanë bashkëpunuar ngushtë për të kryer këtë analizë gjinore, në funksion të identifikimit të objektivave dhe veprimtarive specifike për çuarjen më tej të barazisë gjinore në punën e Ministrisë. 
      Andaj si rezultat i këtij bashkëpunimi, RrGK me 17 nëntor publikoi raportin më të ri “Buxhetimi për Përmirësimin e Barazisë Gjinore në Programet për Diasporën. Përmes rekomandimeve që dolën nga kjo analizë synohet të ofrohen informata jetike për Buxhetin e MD-së për vitin 2018, si dhe për Kornizat Afatmesme të Shpenzimeve (KASH-et). 
       Në fjalën e saj hyrëse, Drejtorja Ekzekutive e RrGK, Igballe Rogova u shpreh mirënjohëse për përkrahjen e Austrian Development Agency (ADA) dhe njëkohësisht për Ministrinë e Diasporës, që mundësuan realizimin e këtij raporti. 
          Më pas të pranishmëve i’u drejtua zëvendësminstri Cerim Bajrami, duke falenderuar RrGK-në dhe ADA-n për këtë bashkëpunim i cili ka rezultuar me një raport kaq të kompletuar. 
        Ndërsa në vazhdim, u prezantuan gjetjet kryesore dhe rekomandimet e dala nga ky raport, prezantim i cili u bë nga bashkë-autorja e raportit, njëherit edhe Menaxhere e Programit dhe Udhëheqëse e Hulumtimeve në RrGK, Nicole Farnsworth. 
          Pas prezantimit të gjetjeve kryesore, Kreshnik Berisha, Këshilltar Politik i Ministrit në Ministrinë e Diasporë u shpreh se kjo ministri është e gatshme për bashkëpunim të mëtutjeshëm me RrGK në adresimin e rekomandimeve të dalura nga ky raport. 
        Në fund, të pranishmit kishin mundësinë të diskutojnë mbi të gjeturat dhe rekomandimet e dala nga raporti i cili u publikua me mbështetje të Austrian Development Agency (ADA). 
            Përderisa raportin e plotë mund ta lexoni këtu, gjetjet kryesore dhe rekomandimet e dala nga ky raport mund t’i lexoni në vazhdim:

  • Disa departamente dhe organe të MD-së nuk kanë të dhëna të ndara sipas gjinisë apo sisteme për mirëmbajtjen dhe përdorimin e tyre për planifikimin buxhetor. Ministria duhet të sigurojë që punonjësit të mbledhin, mirëmbajnë dhe përdorin të dhëna të ndara sipas gjinisë lidhur me personat e synuar, personat e konsultuar dhe ata që përfitojnë nga programet e MD-së, në funksion të përmirësimit të informatave që shërbejnë për planifikimin e shpenzimeve të ardhshme.
  • Krahas këtij raporti, Ministria nuk ka kryer ndonjë analizë të njohur gjinore për të mbledhur të dhëna për hartimin ose analizimin e ligjeve, politikave dhe strategjive ekzistuese që kanë të bëjnë me diasporën. Ministria duhet të kryejë analiza gjinore për të siguruar të dhëna që do të shërbejnë për hartimin e ligjeve, politikave, strategjive, programeve dhe planveprimeve, duke analizuar mënyrën se si këto ndikojnë në mënyrë të ndryshme te burrat dhe gratë. Ministria duhet të sigurojë pjesëmarrjen e zyrtarit për barazi gjinore (ZBGj) në grupet e punës.
  • Deri në maj të 2017-ës, gratë përbënin vetëm 23% të të gjithë përfituesve të subvencioneve dhe transfereve dhe pranonin vetëm 20% të shpenzimeve (më pak se 22,000 euro nga 110,000 euro) MD-ja duhet të marrë masa pozitive për rritjen e përqindjes së subvencioneve dhe granteve prej të cilave përfitojnë gratë.
  • Në proceset e prokurimit nuk janë përfshirë veprimet pozitive drejt çuarjes më tutje të barazisë gjinore, sikurse parashihet në Ligjin e ndryshuar për Prokurimin Publik. Divizioni i Prokurimit Publik mund ta rrisë përfshirjen e objektivave sociale që kanë të bëjnë me barazinë gjinore, në kuadrin e kontratave, duke i detyruar kështu kontraktorët që të zbatojnë masa të projektuara për promovimin e barazisë gjinore gjatë zbatimit të kontratave të tyre.
  • Më pak burra se gra kanë përfituar nga mundësia që studentët nga diaspora të kryejnë punë praktike në ministri të ndryshme.Gratë përbëjnë 35% të të gjithë praktikantëve gjatë periudhës 2015-2017.
  • Departamenti për Mbrojtjen dhe Kultivimin e Edukimit dhe Kulturës në Diasporë mund të përdorë masa afirmative për të nxitur më shumë burra që të marrin pjesë në programet e punëve praktike.
  • Numri i grave që kanë marrë pjesë në trajnimet e zhvilluara gjatë vitit 2015 dhe marsit të vitit 2017-ës është më i madh (60%) sesa ai i burrave (40%). Përveç nëse përmes kësaj mase afirmative synohet ngritja në karrierë e grave, MD-ja duhet të ketë parasysh sigurimin e një pjesëmarrjeje më të ekuilibruar të grave dhe burrave në trajnime.
  • Në prill të vitit 2017, 37% e punonjësve të MD-së ishin gra dhe 63% burra. Burrat pranonin 70% të shpenzimeve të pagave dhe mëditjeve në vitin 2016. Numri i burrave që kanë punuar vazhdimisht në nivele më të paguara dhe vendimmarrjeje ishte më i madh (81%) sesa ai i grave (19%). MD-ja duhet të përdorë masa afirmative për të punësuar dhe ngritur në detyrë më shumë gra të kualifikuara, duke kontribuar kështu drejt shpenzimeve më të ekuilibruara në kategorinë ekonomike të pagave dhe mëditjeve.
  • Gratë kanë marrë pjesë në 20% të udhëtimeve zyrtare nga të gjitha udhëtimet zyrtare në vitin 2016.
  • Për rrjedhojë, zyrtaret kanë pranuar vetëm 15% të shpenzimeve për udhëtime zyrtare. MD-ja duhet të sigurojë ekuilibër gjinor në radhët e anëtarëve të personelit që marrin pjesë në udhëtime zyrtare.
 Ky raport u publikua me mbështetje të Austrian Development Agency (ADA).