RrGK Lanson Raportin: Nën hije: Analiza Gjinore e Punës Joformale në Kosovë

Më 27 shkurt, Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ka lansuar raportin e fundit hulumtues: Nën hije: Analiza Gjinore e Punës Joformale në Kosovë. Ai trajton nevojën për analizë gjinore për angazhimin e grave dhe burrave në joformalitet, drejt informimit të ndërhyrjeve të qeverisë për të adresuar ekonominë joformale, duke siguruar një qasje të bazuar në fakte dhe një qasje të quajtur “mos bëj dëm”.

Hulumtimi zbuloi se 42% e kosovarëve janë të angazhuar në punë joformale dhe gratë kanë dy herë më shumë gjasa se burrat për të kryer punë të tilla. Ata shpesh punojnë në hije, pa kontrata, pa punësim të qëndrueshëm, pa orë pune të parashikueshme, pa të ardhura të besueshme dhe pa vende të sigurta pune. Puna e papaguar e kujdesit të grave, angazhimi në bizneset familjare dhe puna bujqësore shpesh fshihen edhe më thellë në hije. Pasojat e punës joformale përfshijnë punësimin e pasigurt, të ardhurat e paqëndrueshme, orarin e çrregullt të punës, punën jashtë orarit të papaguar, paga më të ulëta për disa, pensione më të ulëta, akses të kufizuar në asete, pasoja shëndetësore, shkelje të të drejtave të punës dhe evazion fiskal që kontribuon në humbjen e të ardhurave për shtetin.

Qeveria mund të adresojë joformalitetin duke vendosur taksa më progresive, duke përmirësuar inspektimet e punës, duke zgjeruar ndërgjegjësimin për të drejtat e punës dhe përfitimet e regjistrimit të punës, duke thjeshtuar procedurat administrative për depozitimin e taksave dhe duke ofruar stimuj financiarë. Forcimi i sistemeve të mbrojtjes sociale dhe investimi në përkujdesje mund të transformojë punën e papaguar dhe joformale në punë formale. Këto përpjekje duhet të plotësojnë nevojat e grave dhe burrave të ndryshëm, duke siguruar mbrojtjen dhe mirëqenien e tyre.

Duke përfaqësuar Agjencinë për Barazi Gjinore në Zyrën e Kryeministrit, Edi Gusia falënderoi RrGK-në për këtë raport serioz. Ajo nënvizoi nevojën për të adresuar joformalitetin sepse ai “prek gratë në mënyrë disproporcionale”, pasi “ato paguhen më pak dhe kanë më pak siguri”. Kontributet e tyre duhet të njihen ligjërisht, tha ajo, duke përfshirë sigurimet shëndetësore dhe pensionet.

Edona Rexhepaj nga Agjencia e Statistikave të Kosovës tha se Sekretariati i angazhuar në adresimin e ekonomisë joformale do të përdorë rekomandimet e raportit për të informuar strategjinë e ardhshme të qeverisë për adresimin e joformalitetit.

Drejtoresha Ekzekutive e RrGK-së Igballe Rogova hapi ngjarjen, duke nënvizuar urgjencën e Qeverisë për të ecur përpara me Ligjin e Punës, siç ritheksohet në këtë raport. Ambasadori i Suedisë në Kosovë H.E. Jonas Westerlund tha gjithashtu se qeveria ka përgjegjësinë për të zbatuar rekomandimet, duke përfshirë harmonizimin e Ligjit të Punës me Direktivën e BE-së për Balancimin e Punës dhe Jetës.

“Ne inkurajojmë fuqimisht Qeverinë që të marrë në konsideratë me kujdes gjetjet dhe rekomandimet, si dhe të vazhdojë të angazhojë organizata dhe aktiviste për të drejtat e grave me ekspertizë në grupet e punës për të siguruar angazhimin e shoqërisë civile në hartimin e politikave gjinore dhe gjithëpërfshirëse,” tha Alessandro Bianciardi. Zëvendës Shef i Bashkëpunimit në Zyrën e BE-së në Kosovë.

Kjo Analizë Gjinore u bashkëfinancua nga Bashkimi Evropian dhe Suedia, si pjesë e Veprimit të Koalicionit për Barazi Gjinore në Procesin e Anëtarësimit në BE (EQUAPRO) “Avancimi i barazisë gjinore përmes procesit të anëtarësimit në BE”. Raporti është në dispozicion në ueb-faqen zyrtare të RrGK në anglisht dhe do të jetë i disponueshëm në shqip dhe serbisht brenda disa javësh.