Më 6 shtator, rreth 80 pjesëmarrëse u bashkuan për të diskutuar së bashku në mbledhjen e tretë të anëtareve të Rrjetit të Grave të Kosovës (RrGK) për këtë vit.
Takimin e filloi Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova, e cila ka theksuar rëndësinë e marrjes së vaksinës kundër virusit COVID-19, duke shpresuar se takimet e ardhshme do të mbahen fizikisht.
Rogova gjithashtu përmendi se edhe në këto zgjedhje lokale, RrGK do të vazhdojë fushatën për të bërë thirrje për të votuar për më shumë gra.
“Ashtu siç jemi dakorduar edhe kësaj radhe ne së bashku do të vazhdojmë fushatën derë-me-derë, përmes së cilës, së bashku me anëtaret tona, do u bëjmë thirrje qytetarëve që të votojnë për më shumë gra në zgjedhjet lokale që pritet të mbahen muajin që vjen”, ka thënë ajo.
Rogova po ashtu ka vënë theksin te vrasja e 18-vjeçares me inicialet M.0 nga bashkëshorti i saj, si dhe ka rikujtuar se RrGK do të vazhdojë të kërkojë drejtësi si për këtë vrasje, po ashtu edhe për çdo rast tjetër të femicidit.
[Lexo KËTU reagimin e RrGK-së për këtë rast, kurse KËTU mund të lexoni lidhur me protestën e RrGK-së të organizuar në Ferizaj për të kërkuar drejtësi për këtë rast.]
Në vazhdim, Gentiana Murati, Menaxhere e Granteve, RrGK, njoftoi pjesëmarrëset lidhur me raundin e 16-të të Fondit të Grave të Kosovës (FGK), i cili për herë të parë ofron mbështetje organizative për organizatat anëtare.
“Hulumtimi ynë “Ku janë paratë për të drejtat e grave” tregon se mbështetja organizative u mundëson organizatave të grave të përqendrohen më shumë në ndikim sesa në mbijetesë. RrGK ka kohë që dëshiron të ofrojë mbështetje organizative për anëtaret e saj, por nuk arriti ta bënte duke pasur parasysh kufizimet e financimit. Tani, përmes mbështetjes nga Sigrid Rausing Trust, RrGK do të ofrojë këtë mbështetje për tetë ose më shumë organizata anëtare”, tha Murati.
Tutje, edhe Rita Berisha, Koordinatore e Projektit, FGK, ka njoftuar anëtaret lidhur me rëndësinë që ka mbështetja organizative për fuqizimin e organizatave të cilat përpiqen për arritjen e barazisë gjinore në Kosovë.
“Ju ftojmë ta shfletoni këtë thirrje dhe të konsultoheni me ne për çdo gjë që vlerësoni se mund t’u ndihmojmë. RrGK ka kënaqësi që sot po u njoftojmë se do të ofrojmë mbështetje organizative për ju- mbështetje kjo e cila mund t’u ndihmojë tejet shumë në punën dhe zbatimin e strategjive tuaja, sepse nuk janë fonde të ndara thjesht për një projekt, mirëpo për çdo shpenzim që organizata juaj mund të ketë, e deri sot e keni pasur më të vështirë ta plotësoni”, tha Berisha.
Anëtaret e RrGK-së vlerësuan lart këtë mundësi për të marrë mbështetjen që u nevojitet për të çuar përpara strategjitë e tyre drejt përmirësimit të jetës së grave dhe vajzave në Kosovë.
Ky takim u mbështet nga zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë (BE), përmes nismës katër vjeçare “Fuqizimi i Pjesëmarrjes së Grave në Politikë”, për të cilën më shumë mund të lexoni KËTU.