Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) përgjatë muajit janar dhe shkurt ka mbajtur tri punëtori për ngritjen e kapaciteteve të organizatave anëtare përfituese nga Fondi i Grave të Kosovës (FGK).
Gjatë punëtorisë së mbajtur me 14 janar për përgatitjen e projekt propozimeve, Gentiana Murati-Kapo, Menaxhere e FGK-së prezantoi mënyrat më të mira të analizave të kontekstit gjatë shkrimit të një projekt propozimi si dhe analizën e rezultateve.
Identifikimi i problemit të përgjithshëm, menaxhimi në bazë të rezultateve, qasja e kornizës logjike si dhe analiza e rrezikut ishin disa nga temat qe u diskutuan gjatë punëtorisë.
“Në vend se të shmangim rreziqet, duhet të planifikojmë se si t’i menaxhojmë ato nëpërmjet monitorimit dhe zbutjes së tyre”, tha Murati-Kapo duke shpjeguar identifikimin dhe analizën e rrezikut.
“Shqyrtimi i rreziqeve po ashtu u mundëson të shpjegoni se pse një projekt i caktuar mund të mos funksionojë që në fillim”, shtoi tutje ajo.
Kurse, gjatë punëtorisë së mbajtur më 21 janar për ngritjen e kapaciteteve për komunikim efektiv me publikun u diskutuan metodat më të mira të promovimit të aktiviteteve për të rritur audiencën dhe për të fituar mbështetës si vullnetarë, donatorë, si dhe bashkëpunëtorë.
Po ashtu, më 4 shkurt, RrGK organizoi punëtorinë e tretë me radhë për ngritjen e kapaciteteve të organizatave anëtare përfituese nga FGHK-ja, për të disktuar së bashku për avokimin e suksesshëm për qëllimet e përbashkëta drejt arritjes së barazisë gjinore.
Nicole Farnsworth, Drejtore e Programit, Hulumtuese Kryesore, RrGK, njoftoi organizatat mbi nismat avokuese, zhvillimin e strategjisë avokuese si dhe ciklin e avokimit.
Ajo gjithashtu përmendi rëndësinë që kanë media dhe rrjetet sociale në arritjen e qëllimeve avokuese dhe përçimit të suksesit e mesazhit te publiku i gjerë.
“Politika për të cilën avokohet duhet të prezantohet në formate që tërheqin vëmendjen dhe janë efektive, siç janë grafikat, infografikat dhe fushatat në rrjete sociale”, tha Farnsworth.
Këto punëtori u mbështet nga Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Kosovë, Trusti Sigrid Rausing, Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), Agjencia Suedeze për Bashkëpunim dhe Zhvillim Ndërkombëtar (Sida) si dhe Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë (UNFPA).