RrGK merr pjesë në takimin e pestë të Rrjetit të Pikave Qendrore të Grave, Paqes dhe Sigurisë në Washington

Rrjeti i Grave të Kosovës nga 6-8 qershor mori pjesë aktivisht në takimin e pestë të Rrjetit të Pikave Qendrore të Grave, Paqes dhe Sigurisë, i cili u zhvillua në Washington, Shtetet e Bashkuara me ftesë të Departamentit Amerikan i Shtetit, Zyrës Globale për Çështje Gjinore dhe Ministrisë së Mbrojtjes Kombëtare, Zyrës së Menaxhimit të Çështjeve Gjinore, Rumani.

Nga RrGK, pjesëmarrëse në këto takime ishin Valmira Rashiti, Zyrtare e Programit për Sundim të Ligjit, Feride Rushiti – drejtore e Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës dhe njëherit anëtare e bordit të RrGK, dhe Kadire Tahiraj nga Qendra e Promovimit të të Drejtave të Grave.

Në takimet me ambasadorë, aktivistë, përfaqësues të delegacioneve të vendeve të ndryshme, përfshirë atë me Geeta Rao Gupta e sapoemëruar si Ambasadore e Përgjithshme për Çështjet e Grave në Departamentin e Shtetit, RrGK theksoi nevojën për zbatim më të thukët të Rezolutës 1325 për Gratë në procese të Paqes dhe Sigurisë. Këtu u ngrit nevoja edhe e financimit të qëndrueshëm për organizatat e grave te angazhuara tashmë një kohë të gjatë në proces të paqes dhe pajtimit, sidomos në nivel lokal si dhe përfshirjen e konsultimit të tyre në struktura negociatore.

RrGK poashtu ngriti nevojën e llogaridhënies institucionale të shteteve përkatëse por edhe të akterëve ndërkombëtarë në lidhje me zbatimin e Rezolutës 1325, për të përdorur një gjuhë më të fuqishme në zbatimin e saj.

Në kuadër të grupeve punuese, në të cilat u diskutuan mundësitë për krijim të planeve të veprimit në nivel kombëtar për gratë në procesin e paqes dhe sigurisë, Valmira Rashiti, nga RrGK theksoi nevojën për rikonstruktimin e nocionit të paqes dhe sigurisë, si dhe atë të “kërcënimeve kombëtare” duke u siguruar që ky i fundit të përfshijë edhe rrezikun që po i kanoset grave dhe vajzave nga niveli i lartë i dhunës me baze gjinore.

Ndërsa Feride Rushiti, KRCT dhe anëtare e bordit dhe Kadire Tahiraj nga Qendra e Promovimit të të Drejtave të Grave u siguruan që fokusi i bisedave po ashtu të jenë viktimat e dhunës seksuale në luftën e fundit në Kosovë, përmes njohjes së statusit të tyre, krijimit të kushteve adekuate për rehabilitimin e tyre, dhe ngritjes së vetëdijes shoqërore, kombëtare e ndërkombëtare për t’u solidarizuar me viktimat e dhunës seksuale. Feride Rushiti, KRCT theksoi se barazia gjinore dhe qasja multi-sektoriale janë komponentë thelbësorë të paqes dhe sigurisë së qëndrueshme.

Pos diskutimeve dhe rekomandimeve konkrete, RrGK ndau po ashtu praktika të mira të punës shumëvjeçare të organizatave anëtare të RrGK në procesin e paqes dhe sigurisë, dhe letrave të përbashkëta avokuese drejtuar përfaqësuesve ndërkombëtarë për përfshirje dhe konsultim të grave. RrGK po ashtu ndau edhe përvojën praktike në hulumtime dhe publikime nga kjo fushë, gjetjet e të cilave i kontribuan formësimit të prioriteteve të cilat gratë do t’i ngrisnin nëse do të ishin të përfshira në procese te paqes, sigurisë dhe struktura negociatore, siç kërkon Rezoluta 1325.

Ju rikujtojmë që RrGK në vitin 2021 publikoi hulumtimin: “Një ulëse në Tryezë”, ndërsa në vitin 2022 RrGK publikoi botimin e dytë të librit: “Fakte dhe Fabula për Rezolutën 1325”. Të dy këto publikime mund t’i shfletoni në të dy gjuhët në web-faqen e RrGK.