RrGK mirëpret aktivistet nga Ballkani: Së bashku për të luftuar dhunën me bazë gjinore

Për tri ditë me radhë (19-21 tetor) Rrjeti i Grave të Kosovës (RrGK) ishte nikoqir i takimit rajonal të mbajtur ndërmjet organizatave partnere në nismën “Institucionalizimi i shërbimeve cilësore të rehabilitimit dhe riintegrimit për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore”.  

Organizatat pjesëmarrëse në këtë punëtori ishin; Autonomous Women’s Centre (Shqip: Qendra e Grave Autonome) nga Serbia, National Network Against Violence against Women (Shqip: Rrjeti Kombëtar kundër Dhunës ndaj Grave) nga Mali i Zi, Women’s Rights Centre (Shqip: Qendra për të Drejtat e Grave) nga Maqedonia, Gender Alliance for Development Centre (Shqip: Qendra Aleanca Gjinore për Zhvillim), Albanian Women’s Empowerment Network (Shqip: Rrjeti i Fuqizimit të Gruas) nga Shqipëria, si dhe Foundation United Women (Shqip: Fondacioni Gratë e Bashkuara) nga Bosnja dhe Hercegovina. 

Takimin e filloi Drejtorja Ekzekutive e RrGK-së, Igballe Rogova, e cila theksoi rëndësinë e takimeve të përbashkëta ndërmjet grave të Ballkanit Perëndimor. 

Ne jemi shumë të lumtura që për këto tri ditë do të jemi së bashku dhe do të diskutojmë më shumë për shërbimet, rehabilitimin dhe riintegrimin e të mbijetuarve të dhunës me bazë gjinore. Gjatë këtyre ditëve do të kemi kënaqësinë që t’ju kemi edhe në zyret e RrGK-së, në mënyrë që të kemi një mjedis sa më të rahatshëm dhe të punojmë së bashku”, tha ajo. 

Rogova po ashtu kujtoi se për RrGK-në gjithmonë janë të rëndësishme takimet me partneret, ashtu që të ndahen përvojat dhe të shihen mundësitë për bashkëpunime të tjera në të ardhmen. 

Në vazhdim, partneret diskutuan më shumë për mundësitë e avokimit për krijimin e banesave sociale për viktimat e dhunës me bazë gjinore. 

“Përveç viktimave të dhunës me bazë gjinore, ne duhet të përfshijmë në këto hapësira edhe viktimat e dhunës gjatë luftës”, tha Aleksandra Nestorov nga organizata Autonomous Women’s Center. 

Tutje, në takim u diskutua për femicidin, rastet e femicidit në secilin shtet dhe krijimin e një videoje të përbashkët për gjashtë shtetet në mënyrë të pasqyrimit të femicidit në secilin shtet, si dhe trajtimin e tij nga institucionet përgjegjëse. 

Për më tepër, partnerët ndanë përvojat e tyre nga protestat kundër femicidit në shtetet përkatëse, si dhe trajtimin e femicidit në proceset gjyqësore. 

Gjithashtu, partnerët diskutuan edhe për ndikimin e pandemisë COVID-19 në rritjen e rasteve të dhunës me bazë gjinore, trajtimin e tyre nga institucionet dhe strehimin e grave në strehimore gjatë masave të izolimit në shtëpi. 

Kjo punëtori tri-ditore u mbështet nga Agjencia Austriake për Zhvillim (ADA), përmes nismës tri- vjeçare “Institucionalizimi i shërbimeve cilësore të rehabilitimit dhe riintegrimit për të mbijetuarat e dhunës me bazë gjinore”.